Opinione Rama-Meta, përplasje për mbijetesë

Rama-Meta, përplasje për mbijetesë

Nga Leonard Karaj

Rama-Meta është një histori dashuri-urrejtje që zor se përfundon pa një fitues dhe një “të vrarë”. Ata njihen aq mirë sa duket se, kur kollitet njëri, e ka të pamundur që të mos teshtijë tjetri. Që prej të largëtit vit 1998 e deri më sot, zor se gjen dy politikanë të këtij niveli që të mos kenë kursyer ndaj njëri-tjetrit edhe ofshamat më të lemerishme (kujto kohën kur Rama e thërriste Metën “Like floriri” ose “Mister 700-mijëshi”, apo kur Meta shkonte deri aty sa i kujtonte Ramës mohimin e të birit). Dhe, nëse akuza të tilla, qofshin edhe shumë më pak të rënda, do të ishin tejet të mjaftueshme që dy njerëz çfarëdo (dhe jo më politikanë të këtij rangu), ta urrenin shoqi-shoqin deri në vdekje, tjetër gjë ka ndodhur me këta të dy. Mania për pushtet, ka bërë që si Rama dhe Meta ta kapërdijnë llumin e hedhur mes tyre, duke i vënë politikës shqiptare, si kurrë ndonjëherë gjatë këtyre tri dekadave, vulën e të pamoralshmes.

Për të kuptuar se sa të dhënë, “të sëmurë” dhe tanimë edhe të pangopur, pas pushtetit kanë qenë dhe vijojnë të jetë këto dy personazhe, mjafton të shikosh se askush më shumë sesa Rama dhe Meta nuk ka qenë në drejtim të këtij vendi gjatë këtyre 29 viteve demokraci (Rama ka qenë 2 vite ministër Kulture, 11 vjet kryetar bashkie dhe 7 vjet kryeministër. Meta, 15 vjet në mazhorancë 1997-2005; 2009-2017 në poste si kryeministër, zv/kryeministër, ministër, kryetar Kuvendi dhe 3 vjet president). Dhe natyrshëm, askush më shumë sesa këta, nuk duhet të ndiejë përgjegjësi për pozicionin në të cilin gjendet sot Shqipëria në raport, të paktën me ish-vendet e tjera komuniste të Evropës Lindore. Por, siç duket, më shumë sesa për vendin, Rama dhe Meta janë përpjekur, ku duke sulmuar njëri-tjetrin dhe ku duke “u puthur”, të mbijetojnë, duke sunduar skenën politike.

Dhe të mendosh se edhe Meta pati ndikuar tek Fatos Nano në pranverën e 1998-s që ta thërriste Ramën nga Franca dhe ta bënte ministër Kulture. Ashtu sikundër, në kahun tjetër Rama “bëri luftë” derisa socialistët rrëzuan Majkon për të bërë Metën kryeministër në nëntor të 1999-s. Që asokohe lindi “dashuri-urrejtja” mes Ramës dhe Metës, dhe ka vijuar si një lojë shahu, ku herë ka qenë njëri në avantazh dhe herë tjetri. Në 2001-shin, Meta kryeministër e “përdorte” Ramën kryebashkiak kundër kryetarit Nano. Teksa 3 vite më vonë, ishte Rama që me shumë stisje fuste mjaftueshëm në sherr Nanon me Metën, aq sa ta detyronte këtë të fundit që të krijonte LSI-në. Kësisoj, rruga e Ramës drejt kreut të PS-së do të ishte thuajse e hapur, përderisa kishte nxjerrë jashtëloje një nga kundërshtarët potencialë për kreun e partisë.

Në 2007-2008 ishte sërish Rama që “ia dridhte” Metës, fillimisht pas zgjedhjeve lokale, duke mos ndarë pushtet me të në Bashkinë e Tiranës dhe më pas, me ndryshimet kushtetuese të marsit 2008, të cilat stigmatizonin direkt LSI-në. Në këtë inat e sipër Meta u hakmor një vit më vonë, në 2009-n, kur bëri koalicion me Berishën, duke marrë 5 ministri, edhe pse kishte mundur të siguronte vetëm 4 mandate deputeti. 2011-ta do të shënonte ulje drastike të Metës, pas videos që Dritan Prifti publikoi, natyrisht me bekimin dhe mbështetjen e fuqishme të Ramës. Ndërsa në 2013-n, vetëm për t’u bërë kryeministër, Rama kapërdiu të sharat dhe ofendimet më të rënda të bëra nga Meta, duke bërë koalicion me këtë të fundit. 2016-2017 rezultuan në pamje të parë për opinion publik, si vite baraspeshe, por realisht, “nën tavolinë”, pati përplasje të frikshme, si në Kuvend, ashtu dhe në qeveri, dhe vetëm fakti se pushteti që kishin u vinte fort i ëmbël, bëri që të mos e prishnin koalicionin. Teksa, më pas ulja e Metës në kolltukun e presidentit u pa ngushtazi nga Rama si heqje sikleti, si pensionim i parakohshëm. Nuk e mendonte kësisoj ish-lideri (de jure) i LSI-së, i cili në tri vite në krye të Presidencës i ka bërë më shumë opozitë Ramës se vetë opozita, që e ka për detyrë. Por kësaj loje shahu, me shumë gjasa do t’i vijë fundi, de facto në pranverën e 2021-shit, dhe de jure një vit më vonë, fillimisht me zgjedhjet e përgjithshme dhe më pas me zgjedhjen e presidentit në 2022.

Dhe në këtë klimë, deklaratat e vazhdueshme të Metës, gjoja për hir të Kushtetutës, kanë qartazi skenar politik. Në çdo iniciativë të kryeministrit nuk ka munguar protagonizmi i presidentit, ashtu sikundër, në çdo qëndrim të kreut të shtetit, ka pasur gjithmonë një kundërsulm kryeministror. Në të gjitha rastet kur mazhoranca ka pasur në dorë “fatet e vendit” sikundër aktualisht, me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Meta ka tentuar të bëjë protagonistin, që në realitet është përkthyer si opozitari i madh. Arsyeja është fare e thjeshtë: forca politike që rrezikon më shumë të humbasë elektorat në zgjedhjet e ardhshme është pikërisht ish-partia e Metës, Lëvizja Socialiste për Integrim. Të qenit në opozitë dhe, për më tepër, tashmë edhe pa pushtetin lokal, teorikisht duket se e ka dobësuar ndjeshëm këtë forcë politike, e cila duhet thënë se ndoshta u ngrit mbi disa ideale eurosocialiste në 2004-n, por ka pasur dhe ka kryesisht një elektorat të prirur drejt interesave të ngushta momentale. Pikërisht në mungesë të pushtetit, tkurret edhe joshja ndaj votuesit, gjë të cilën e ka bërë gati dhunshëm PS-ja në 2017-ën dhe priret ta bëjë edhe në zgjedhjet e radhës.

Dhe faktet tregojnë se të gjithë drejtuesit e PS-së në 12 qarqe (kryetarët e partisë dhe kryebashkiakët) janë rekomanduar/urdhëruar që të afrojnë sa më shumë elektorat që priret ose njihet si i LSI-së. “Joshja” me vende pune në administratë apo në pushtetin vendor, i cili sot komandohet në 99,99 % nga socialistët, u jep mundësi këtyre të fundit t’i shtojnë votat e tyre, duke afruar pikërisht personazhe që deri para pak kohësh ishin pjesë e LSI-së. Dhe sigurisht Meta e ka këtë informacion, ndaj reagimet e tij kanë dalë përtej protokollit moral që të lejon pozicioni i kreut të shtetit. Asgjë nuk i intereson më shumë atij sesa “fëmija i tij”, ndaj jo pa qëllim edhe sulmet e Ramës më të ashpra dhe të forta, vijnë më shumë nga presidenca sesa nga LSI-ja zyrtare.

Gjatë këtyre tri viteve në Presidencë, Ilir Meta ka tentuar gjithmonë të jetë protagonist, dhe jo pa qëllim, pasi ka parë kurthin e radhës që po i ngrinte kundërshtar-aleati i tij më i madh, Edi Rama. Lëvizja e fundit e socialistëve me rimbylljen e listave për deputetë, ashtu sikundër në fakt e kanë me qejf si Rama, por edhe Basha, me kushtin ama që të ndalohen koalicionet parazgjedhore, dukshëm janë përllogaritje votash kundër LSI-së në veçanti dhe partive të vogla në përgjithësi. Por nëse kryetarët e partive të vogla mund edhe të pranojnë që të futen në listën e PD-së ose të PS-së, një gjë të tillë nuk e bën dot LSI-ja, forcë kjo politike që ka treguar se elektoratin e vet e shumon ndjeshëm vetëm kur është në koalicion parazgjedhor ose në pushtet. Pikërisht për këtë arsye, Ilir Meta ka dalë sërish në skenë, duke lëshuar gati kërcënime ndaj Ramës.

Në këto kushte, nëse PS-ja do t’i miratojë ndryshimet në kod, ashtu sikundër i publikoi Gjiknuri dhe nga ana tjetër, PD-ja do bëjë thjesht gjoja sikur do t’i kundërshtojë, Metës nuk i mbetet gjë tjetër që të jepte dorëheqjen si president dhe t’i përkushtohej më së shumti LSI-së, forcë kjo politike që, sipas të gjitha sondazheve paraprake dhe, natyrisht, subjektive, pa qenë në pushtet dhe pa koalicion parazgjedhor, mund të bjerë edhe poshtë kuotave të 2009-s, kur mori 4 deputetë.

Gjithsesi, një gjë është e sigurt, se vera e 2021-shit do të vulosë përfundimisht fatin e Metës dhe të Ramës. Gjasat janë që Meta të dalë përfundimisht nga skena politike, por gjithnjë në referencë të votave që do të marrë LSI-ja. Rama dhe PS-ja po punojnë fort jo vetëm për veten e tyre, por edhe kujt realisht t’i marrin vota. Dhe sigurisht një dobësim i LSI-së do të bënte të mundur ëndrrën (ndoshta edhe të fundit) e Ramës: të bëhet president. Një LSI në kuotat aktuale të deputetëve në Parlament, apo qoftë edhe më pak, por mjaftueshëm sa të vendosë qartazi formimin e qeverisë së ardhshme dhe vijimin e qeverisjes, do të ishte një problem i madh për Ramën, madje edhe për Bashën, sepse kjo do të sillte kushtëzim si të postit të kryeministrit dhe të presidentit të ardhshëm. Në këtë këndvështrim, më shumë sesa të fitojë ndaj PD-së, Ramës i intereson shumë që të dobësojë LSI-në, me qëllim që më pas ta ketë “të shtruar” rrugën drejt Presidencës, në 2022.