Ekonomi Rama sqaron qytetarët që hasin probleme me shtyrjen e kësteve të kredive

Rama sqaron qytetarët që hasin probleme me shtyrjen e kësteve të kredive

Kryeministri Edi Rama, të gjithë qytetarëve që kanë hasur probleme me shtyrjen e kësteve të kredive, u ka sqaruar se si duhet të veprojnë.

Për shkak të gjendjes së shkaktuar nga situata e koronavirusit, të gjithë ata të cilët kanë hasur probleme me bankat për shtyrjen tre mujore të detyrimeve nga kreditë, Rama shkruan se Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion një kanal ankesash në faqen e vet.

“Udhëzim i Bankës së Shqipërisë, për qytetarët dhe bizneset për riskedulimin e kësteve të kredisë me subjektet kredimarrëse. Në vijim të njoftimeve të mëparshme, Banka e Shqipërisë rithekson se qytetarët dhe bizneset, gjendja financiare e të cilëve është ndikuar negativisht nga situata e krijuar nga Covid-19 dhe njëkohësisht janë klientë kredimarrës në banka ose subjekte financiare jo banka, kanë mundësi të aplikojnë për procesin e riskedulimit të kësteve të kredisë pranë këtyre subjekteve.

Fillimisht ju nevojitet të aplikoni për shtyrje të afatit të kësteve të kredisë duke shpjeguar vështirësitë financiare si pasojë e situatës së krijuar, tek secila nga banka/subjekte ku keni kredinë”.

Ndërkaq, për çdo rast, nëse nuk gjeni mirëkuptim me bankat/subjektet ku keni kredinë mund t’i drejtoheni Bankës së Shqipërisë, për të zgjidhur këtë situatë duke shkruar në adresën e email-it: [email protected]

“Lutemi të specifikoni konkretisht emrin e bankës/subjektit me të cilin keni një marrëdhënie kredie, shpjeguar vështirësitë tuaja financiare si pasojë e situatës së krijuar dhe vënë në dispozicion korrespondencën e plotë që keni pasur me bankat/subjektet. Banka e Shqipërisë”.