Kryesore Rama takon Merkel të premten, Qeveria gjermane: Ja çështjet në fokus të...

Rama takon Merkel të premten, Qeveria gjermane: Ja çështjet në fokus të takimit

Kryeministri Edi Rama, në fund të kësaj jave do të takohet në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Diçka e tillë është konfirmuar nga vetë qeveria federale gjermane për “Scan”, ku citohet zëdhënësja e Zonjës Merkel, Martina Fietz. “Të premten tjetër, më 13 Shtator, Kancelarja do të mirëpresë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Kancelarinë Federale, në orën 9.30.

Në fokus të diskutimit të përbashkët do të jenë çështjet europiane, si dhe marrëdhëniet bilaterale apo çështjet rajonale”, thuhet në deklaratën e qeverisë gjermane në lidhje me këtë vizitë të kryeministrit shqiptar në Berlin. Takimi vjen vetëm pak kohë përpara votës së shteteve anëtare të unionit për çeljen ose jo të negociatave me vendin tonë. Sinjalet e deritanishme tregojnë se, Gjermania do të rreshtohet krah vendeve që janë pro çeljes së negociatave.

Nga ana tjetër, vizita e kryeministrit shqiptar në Berlin vjen në një kohë që kriza politike në vend nuk ka gjetur ende zgjidhje. Në kuadër të kësaj, por edhe në kuadër të integrimit europian, Kryeministri Rama mund të zhvillojë një takim edhe me zyrtarë të lartë të CDU-së gjermane./SCAN