Politika Rama, vetëm foto dhe asnjë fjalë për takimin me Vjosa Osmanin

Rama, vetëm foto dhe asnjë fjalë për takimin me Vjosa Osmanin

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë vetëm foto nga takimi me Presidenten në detyrë të Kosovës Vjosa Osmani, pa përcjellë asnjë koment. Edhe Vjosa Osmani nuk ka publikuar asnjë deklaratë për takimin me Ramën.

Sipas axhendës së vizitës tre ditore në Tiranë, Osmani, e cila zëvendësoi Thaçin në presidencë pas dorëheqjes së këtij të fundit me shkak aktakuzën nga Specialja, u takua në orët e pasdites më të parin e qeverisë së Tiranës. Më herët, ajo u takua me presidentin Meta, krryeparlamentarin Ruçi, si dhe mbajti një fjalim në parlament.

Kryeministria – Me Presidenten në Detyrë të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani 🇦🇱❤️🇽🇰

Posted by Edi Rama on Thursday, 17 December 2020

Por në mesazhet e saj, nuk kanë munguar nëntekstet e forta politike, pa e lënë vizitën e saj thjesht simbolike.

Me Metën në krah, ajo kundërshtoi fuqishëm Shengenin rajonal, duke shkuar deri aty sa t’ia atribuonte Ramës aktin e Hotit për firmosjen e këtij projekti në Zyrën Ovale në Marrëveshjen e Uashingtonit.

Gjatë fjalimit në Parlament kërkoi edhe heqjen e traut në Rrugën e Kombit. Vjosa Osmani e sheh tarifën e vendosur në Rrugën e Kombit si një barrierë në rrugën e integrimit të dy vendeve shqiptare dhe këtë ia tha ligjvënësve në fjalën e saj në parlament.

“Nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria. Në kohën e integrimit evropian vendosja e çfarëdo barriere komunikimi mes dy vendeve tona është kundër frymës së lëvizjes së lirë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore e ndërshqiptare. Na lini të vijmë siç deshën të parën tanë, ashtu siç duam ne dhe siç do duan dhe fëmijët tanë”, tha Osmani.

Për momentin, nuk dihet se çfarë ka biseduar Rama me Osmanin.