Politika Raporti për kanabisin, Meta: Shtimi i kultivimit për zgjedhje është kthyer në...

Raporti për kanabisin, Meta: Shtimi i kultivimit për zgjedhje është kthyer në traditë

Presidenti Ilir Meta ka komentuar raportin e fundit të Guardia di Financa për luftën ndaj kanabisit në Shqipëri. Asnjë surprizë sipas kreut të shtetit nuk ka nga ky raport.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta thotë se shtimi i kultivimit të kanabisit me afrimin e zgjedhjeve është kthyer në traditë.

“Asnjë surprizë! Shtimi i kultivimit të kanabisit, me afrimin e zgjedhjeve, është kthyer tashmë në traditë. Është një “koncension” për grupet kriminale, që në këmbim të përfitimeve kolosale nga kanabisi, u kërkohet nga ortakët në pushtet “kontrolli elektoral” i Qarqeve”, shkruan Meta.

Meta thotë se i ka bërë thirrje Policisë, SHISH, Prokurorisë dhe agjencive ligjzbatuese të përqendrohen në luftën kundër këtij fenomeni që ka dëmtuar imazhin e vendit dhe shoqërinë.

Kreu i shtetit bëri thirrje që askush të mos mendojë se me paratë e kanabisit do të deformohet vullneti i shqiptarëve më 25 Prill.

“Lufta kundër drogës është kusht për integrimin europian. Askush të mos mendojë, lëre më të guxojë, që me paratë e kanabisit, të deformojë vullnetin e shqiptarëve në 25 prill 2021 dhe të pengojë të ardhmen europiane të shqiptarëve. Grupet kriminale dhe ortakët e tyre në pushtet janë të identifikuar”!

Në raportin e fundit të Guardia di Financa për luftën ndaj kultivimit të kanabisit në Shqipëri thuhet se sipërfaqja e zbuluar për 2020 ishte më shumë se dyfishi i një viti më parë. Janë 7.2 hektarë me hashash të zbuluara nga monitorimet nga ajri në gjatë 2020, ndërsa në 2019 ishin vetëm 3.2 hektarë.