Aktualitet Reagon kreu i ISSH: Nuk ka asnjë problem për pagesat e pensioneve

Reagon kreu i ISSH: Nuk ka asnjë problem për pagesat e pensioneve

Instituti i Sigurimeve Shoqërore i ka të gjitha fondet në dispozicion për të paguar pensionet.

Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado garantoi të gjithë shqiptarët se ISSH nuk ka asnjë problem përsa i përket parasë gjendje për pagesën e pensioneve.

Në një intervistë për ATSH-në, Hado theksoi se të ardhurat kontributive për sigurimet shoqërore, nga të dhënat operative për periudhën janar-tetor, janë të realizuara në masën 100%. “Që do të thotë se nuk ka asnjë lloj problemi përsa i përket parasë gjendje dhe mbulimit me financime të pensioneve”, deklaroi Hado.

“Qytetarët duhet të bëjnë gjumin e qetë. Edhe ata persona që e kanë lënë pensionin 1 muaj apo më shumë pa marrë, për arsyet e tyre personale, lekët janë në llogarinë e Institutit të Sigurimeve Shoqërore”, theksoi ai.

Hado u shpreh se nuk ka ndodhur në të paktën 10 vitet e fundit të jetë vonuar as me një orë pagesa e pensioneve, për shkak të mungesës së parave.

“Instituti i Sigurimeve Shoqërore i ka të gjitha fondet në dispozicion për të paguar pensionet dhe nuk duhet të ketë asnjë lloj meraku nga qytetarët”, siguroi ai.

Hado theksoi se paniku i krijuar lidhet me faktin se në media kanë qarkulluar informacione për numrin e subjekteve debitore ndaj sigurimeve shoqërore .

“Po është e vërtetë se ka disa subjekte që janë debitore, por duhet të kemi parasysh se borxhi nuk është krijuar sot dhe mund të përbëjë problem që rrezikon qëndrueshmërinë financiare të skemës së sigurimeve shoqërore”, shpjegoi Hado.

Ai është një borxh i krijuar ndër vite, i cili është edhe dinamik. ”Një subjekt i vonuar i paguan detyrimet, ndërkohë mund të ketë një tjetër subjekt që mund të ketë vështirësi dhe nuk paguan. Nuk janë të njëjtat kompani që mbeten debitore. Është një proces normal i menaxhimit të borxhit”, tha Hado.

Hado hedh poshtë edhe qëndrimet e fundit në medie se janë shumë subjekte shtetërore debitore ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

“Kjo nuk është e vërtetë. Numri i tyre është shumë i vogël. Por gjithsesi, ne kemi marrë masat ligjore të nevojshme për ta adresuar edhe këtë çështje”, theksoi Hado.

Sipas tij, ka që në muajin shtator që me një udhëzim të Ministres së Financave, nuk lejohet të kryhet pagesa e pagave të asnjë punonjësi buxhetor ose jobuxhetor, pa paguar kontributet e sigurimeve shoqërore.

“Nuk ka asnjë lloj vendi për panik për sa i përket pensioneve të qytetarëve shqiptarë”, tha ai.