Sport Gattuso sërish në modë, derbi i Torinos mund ta rikthejë në stol

Gattuso sërish në modë, derbi i Torinos mund ta rikthejë në stol

Torino nuk fiton në kampionat prej 26 shtatorit, ditë kur mposhti Milanin 2-1 në shtëpi. Më pas janë tre humbje në transfertë dhe dy barazime në shtëpi. Disfata e thellë 4-0 kundër Lazios ka tronditur pozitat e trajneri Walter Mazzarri.

Urbano Cairo e konfirmoi trajnerin pas humbjes të së mërkurës, por ka qenë i detyruar ta bëjë diçka të tillë.

Të shtunën është derbi kundër Juventusit dhe presidenti i klubit granata e di mirë që një ndryshim pankinë në këtë moment nuk ka vlerë.

Ekipi duhet të reagojë, pavarësisht vështirësisë së madhe të përballjes së ardhshme. Mazzarri rrezikon postin dhe në skenë ka dalë emri i Gennaro Gattusos sipas raportimeve të mediave italiane. 41-vjeçari u shkarkua nga Milani në fund të sezonit të kaluar dhe po pret një ofertë serioze për t’u rikthyer në stol.

Torino do të ishte një opsion i mirë për të, por duhet pritur ende. Torino numëron 11 pikë pas javës së dhjetë dhe renditet në vend të 12-të, shumë larg pretendimeve të drejtuesve dhe tifozëve.