Bota Richard Grenell i rikthehet Albin Kurtit: Një majtist antiamerikan

Richard Grenell i rikthehet Albin Kurtit: Një majtist antiamerikan

Ish-i dërguari i ish-presidentit Trump për dialogun Prishtinë-Beograd, ambasadori Richard Grenell, iu rikthye sulmeve ndaj Albin Kurtit, për të cilin u investua fort ta rrëzonte nga qeveria në vjeshtë, siç dhe ndodhi, por që ky i fundit ka fituar sërish zgjedhjet dhe pret sërish të bëhet kryeministër.

Grenell ka zgjedhur ta sulmojë edhe idelogjikisht Kurtin, duke kujtuar majtizmin e tij politik, bashkangjitur antiamerikanizmit të pretenduar.

“Lideri i ri i Kosovës, majtisti antiamerikan, Albin Kurti ka qenë kundër politikave të SHBA të sugjeruara nga Bill Clinton, George Bush, Barack Obama dhe Donald Trump. Ai gjithmonë është anti-amerikan”, shkruan në Twitter Grenell, njeriu që mundësoi një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë mes Vuçiçit dhe Hotit.

Më herët, Grenell e përfshiu Kurtin dhe në hullitë e terrorizmit.

“Albin Kurti ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në një përpjekje për ta ndalur presidentin Obama që ta mbështesë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Joe Biden gjithashtu e ka nxitur Kurtin në atë kohë që ta mbështesë demarkacionin – por, ai në vend të kësaj zgjodhi terrorizmin”, shkroi njeriu që kurrë nuk u pajtua me atë që pritet të rimarrë frenat e qeverisjes së Kosovës.