Sport Rrëfimi i Bonuçit: Me Ronaldon rritet steka, në verë për Juventusin refuzova...

Rrëfimi i Bonuçit: Me Ronaldon rritet steka, në verë për Juventusin refuzova Realin

Në vigjilje të sfidës me Atletikon e Madridit, është mbrojtësi i Juventusit, Leonardo Bonuçi, i cili rrëfehet në një intervistë të gjatë për “AS”, rreth sekretit të sukseseve të “Zonjës”, Kristiano Ronaldos, përballjes me një ish-shok skuadra si Alvaro Morata, apo edhe për zërat që e lidhën me Realin verën e kaluar.

GJENDJA – “Jam gati për sfidën ndaj Atletikos. Nuk ndjej më dhimbje, dhe kam punuar fort ditë e natë gjatë dy javëve të fundit.”

BBC – “Sekreti ynë është i thjeshtë, ne argëtohemi, dhe na pëlqen kur mbrojmë. Përpiqemi të ndihmojmë njëri-tjetrin, dhe bashkojmë forcat tona.”

SERIA A – “Të them të drejtën, nuk është aspak e lehtë të fitosh, edhe pse mund të duket e tillë. Niveli i futbollit italian është rritur shumë. Më parë mund të kemi qenë më superiorë se ekipet e tjera, dhe fitonim pa probleme ndaj Napolit, Interit apo Milanit, por tani nuk është më kështu.”

CR7 – “Nëse tek ne vjen lojtari më i mirë në botë, edhe liga bëhet më interesante. E admiroj atë, për vazhdueshmërinë dhe thjeshtësinë e tij. Ishte menjëherë i gatshëm për grupin, dhe është shumë mbështetës. Jam habitur nga mënyra e tij e të punuarit, çdo ditë pas stërvitjes, atë e gjen në palestër. Edhe mua më pëlqen kjo gjë, por ka ditë që nuk mund t’ia dalësh. Por, ai është gjithmonë atje brenda. Një makineri që nuk ndalon.”

OBJEKTIVI – “Nëse vjen lojtari më i mirë në botë, edhe steka rritet. Objektivi ynë është të fitojmë Champions-in. Nuk mundet, dhe nuk duhet ta fshehim.”

MORATA – “Është miku im, por gjithmonë e kam paralajmëruar. ‘Sapo të futesh në fushë, do të të tregoj kush jam’ – i kam thënë, dhe ai më është përgjigjur: ‘Si gjithmonë.’”

OFERTA NGA REALI? – “Po, është e vërtetë. Reali më kërkoi në verë, dhe isha krenar që isha një objektiv i tyre. Do të thotë se kam punuar mirë këto vite. Por, thirrja e Juventusit dhe dëshira të kthehem aty ku ndihem në shtëpi, bëri që të vendos me zemër, aty ku është më mirë për mua.”