Aktualitet Rritet numri i të infektuarve në Shqipëri

Rritet numri i të infektuarve në Shqipëri

111 persona janë testuar në 24 orët e fundit nga Ministria e Shëndetësisë si të dyshuar me koronavirus. Nga këta 15 persona kanë rezultuar pozitiv me sëmundjen.

Në këtë mënyrë numri total i të prekurve nga COVID-19 në vendin tonë shkon në 212. Zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha këtë të diel se janë realizuar në total 1436 teste.

Betejën me COVID-19 në vendin tonë e kanë humbur deri më tani 10 qytetarë. Ndërkohë 76 pacientë vijojnë të jenë të shtruar në Spitalin Infektiv. Prej tyre 6 janë në terapi intensive nga të cilët 4 janë intubuar.

Siç edhe ministrja e Shëndetësisë njoftoi më herët, numri i të shëruarve ka shkuar në 40. Fatkeqësisht është shtrirë harta e të prekurve me COVID-19, duke iu shtuar edhe Mirdita.

Rakacolli i bëri thirrje qytetarëve që të mos i drejtohen menjëherë spitalit kur kanë dyshime, por të telefonojnë në numrat përkatës të vënë në dispozicion.