Ekonomi Rrogë e lartë, më pak taksa, lehtësimi i një kategorie rrezikon të...

Rrogë e lartë, më pak taksa, lehtësimi i një kategorie rrezikon të kthehet në barrë për të tjerët

Kush ka rrogë më të lartë do të paguajë më pak taksa. Me argumentin se me nivelin aktual të shërbimeve, qytetarëve nuk mund t’u merren kaq para, kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndryshime në sistemin e taksimit.

“Tani kemi një projekt nga qershori do ta materializojmë për të ulur tatimfitimin e të ardhurave për ata që kanë pagat më të larta si punonjës”, u shpreh kryeministri Rama.

Aktualisht, për pagat deri në 50 mijë lekë nuk paguhen taksa, ndërsa për ato deri në 60 mijë lekë paguhet tatim në masën 13 për qind, vetëm të shumës mbi 35 mijë lekë.

Po aq paguhet për pagat deri në 200 mijë lek lekë, ndërsa për ato mbi këtë nivel tatohen me 23 për qind. Ndërhyrja e paralajmëruar nga kryeministri Rama pritet të prekë pikërisht këtë fashë.

“Kjo kategori që përjashtohet ka një ndikim minimal në buxhetin e shtetit. Është më shumë një kredo politike e kryeministrit”, thotë Enkelejd Dyrmishi, ekspert kontabël.

Por, lehtësimi i një kategorie, asaj me rroga të larta, për ekspertë kontabël rrezikon të kthehet në barrë për ata me paga më të ulëta.

“Sigurisht që kushdo do të donte një tatim më të ulët. Çështja është se çfarë efektesh sjell ky ndryshim tek të tjerët. Nëse një ligj krijon artifica dhe ngatërron tatimin në bazën e të ardhurave rrezikon të sjellë pabarazi sociale”, vijon Dyrmishi.

Të ardhurat nga paga e individë dhanë kontribut të rëndësishëm në mbledhjen e të të ardhurave si kurrë më parë gjatë vitit të shkuar.

Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë gjatë 2023-shit u arkëtuan gati 58 miliardë lekë nga tatimi mbi të ardhurat personale. Në raport me 2022-shin kjo shumë u zgjerua me gati 7 miliardë lekë apo 14.4 për qind./A2CNN