Aktualitet Saimir Tahiri dënohet me 5 vite burg, bien akuzat e trafikut të...

Saimir Tahiri dënohet me 5 vite burg, bien akuzat e trafikut të drogës

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë vendimin për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, duke e dënuar atë me 5 vite burg, por kjo do të konvertohet në 3 vite shërbim prove.

Treshja e gjyqtarëve, Ardit Mustafai, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka e ka shpallur ish-ministrin të pafajshëm për tre akuzat e ngritura nga Prokuroria “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal”.

Gjykata ka bërë një rikualifikim të akuzave duke e shpallur atë fajtor vetëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Në lidhje me këtë akuzë ai është deklaruar i fajshëm dhe është dënuar me 5 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfundon uljen e një të tretës dhe dënimi i shkon në 3 vjet e katër muaj burg.

Por pavarësisht këtij vendimi, Tahiri nuk do të shkojë në asnjë ditë në qeli, pasi gjykata ka vendosur të pezullojë ekzekutimin e dënimit të tij me burg, duke e lënë në shërbimin e provës për një periudhë 3 vjeçare.

Reagon Tahiri

Saimir Tahiri ka reaguar pas daljes nga Gjykata duke thënë se gjykata nuk kishte këllqe ta shpallte të pafajshëm.

“Mesa kuptova, nuk jam kriminel, nuk jam trafikant, nuk jam pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, por meqenëse disa kushërinj kanë përdorur emrin tim, kam shpërdoruar detyrën. As qesh dot dhe as qaj dot. Nesër ju ftoj të ndajmë bashkë. Më duket: je i pafajshëm por nuk kemi këllqe të ta themi. Kjo është vetëm maja e betejës time. Të presim, jam kureshtar të lexoj atë që dëgjova. Gjykata tha nuk je trafikant, apo kriminel, po meqë ca kushërinj kanë përdorur emrin tënd dhe ke qenë ministër ke shpërdoruar detyrën. Do ishte më fisnike, të ishin treguar burra dhe të më dënonin për trafik. Sigurisht që do ta apeloj këtë vendim. Isha më i qartë kur hyra sesa tani që dola”, tha Tahiri.

Shkëlqimi dhe rënia e ”Kampionit”

Nga kampioni i qeverisë “Rama” dhe shprehja e famshme për policinë dhe aksionet e saj, shumë shpejt figura e Saimir Tahirit do të përballej me akuza të rënda.

Në shtator të vitit 2015 ish shefi i antidrogës në Vlorë, Dritan Zagani e akuzoi se dekonspironte aksionet e policisë për kapjen e trafikantëve të drogës. Zagani foli nga arratia duke denoncuar përdorimin në narko-trafik të makinës së famshme të Saimir Tahirit nga kushërinjtë e ministrit në Vlorë.

Në atë kohë Tahiri i injoroi akuzat. Por nuk do të kalonte shumë dhe një muaj më pas, policia italiane njoftoi arrestimin e 7 personave, pjesë e trafikut të drogës. Kreu i tyre ishte Moisi Habilaj, kushëri i Saimir Tahirit.

Një ditë pas arrestimit, Partia Demokratike publikoi dosjen e plotë ku mes 413 faqeve me përgjime përmendej edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm. Menjëherë, Prokuroria e Krimeve të Rënda i nisi që atë ditë një kërkesë Kuvendit, ku pikë e parë ishte lejimi për arrestimin e Saimir Tahirit. Pas disa seancash komisioni për mandatet mori vendim, por jo për të hequr imunitetin e deputetit socialist. Maxhoranca pranoi vetëm kërkesën për kontrollin e shtëpisë së tij.

Një ditë pasi KQZ vendosi zëvendësimin e Tahirit, pas dorëheqjes së tij, Krimet e Rënda kërkuan arrestin. Gjykata vendosi “arrest shtëpie”. Gjatë gjithë kësaj kohe mbi ish Ministrin e Brendshëm rëndonin akuzat e trafikut ndërkombëtar të drogës, por edhe grupit të strukturuar kriminal, ndërsa hetimet u zgjatën për disa muaj deri kur vetë ish-ministri kërkoi gjykim të shkurtuar, i bindur se është i pafajshëm.