Sport Sarri: Dybala, një lojtar fenomenal, por si ai si CR7 janë atipikë

Sarri: Dybala, një lojtar fenomenal, por si ai si CR7 janë atipikë

Maurizio Sarri kthehet të flasë pas shumë kohësh dhe thyen heshtjen për “Sky”, në prag të rifillimit të sezonit, që e sheh Juventusin e tij në garë për tre trofe: Kupë, titull dhe Champions.

Gjithçka nis ndaj Milanit, në “Allianz Stadium”, pas 1-1 në “San Siro” në shkurt, gjysmëfinalja e Kupës. “Rinisja nga Kupa na jep mundësi të fokusohemi në motivime, pra duke marrë çdo objektiv me radhë. Ndeshjet me Milanin janë gjithmonë të vështira, kundërshtar që na krijon probleme. Ndeshja e vajtjes nuk na garanton asgjë, i ka të tre rezultatet e kthimit”.

“Forma e lojtarëve? Askush nuk e di! Kjo ndërprerje ishte anormale, e panjohur. As miqësore nuk kemi zhvilluar, për 3 muaj lojtarët qëndruan në divan… Mendojeni pak!”.

Sa i përket titullit dhe garës, tekniku bardhezi tha se “me 12 apo 13 ndeshje për të luajtur, ka plot shanse për këdo. Të humbësh pikë dhe të lësh ndeshje rrugës tani që luhet çdo 3 ditë është e lehtë”.

“Lyon? Mendoj se më mirë një ndeshje teke, ashtu si e kemi! Pastaj, në atë sfidë vijmë pasi kemi mbyllur kampionatin dhe këmbët do të jenë ndryshe”.

Më pas i vjen radha Dybala, tani afër rinovimit me Juventusin: “Ai është një lojtar fenomenal, megjithëse taktikisht është e vështirë të bashkëjetojnë dy lojtarë të ngjashëm (tjetri është Cristiano Ronaldo). Ata mund të bëjnë ndryshimin, por nuk është e lehtë t’i bësh të luajnë së bashku. Sidoqoftë, me këto cilësi teknike dhe fizike ato mund të bëjnë ndryshimin në çdo kohë dhe skuadra duhet t’iu përshtatet atyre në të dyja fazat. Faza mbrojtëse kështu mbetet pak bosh, por është një vështirësi e këndshme”.

Sarri më pas rikonfirmon dëmtimet që ndikuan në sezonin e Juventusit: “Ne kemi një skuadër të madhe, por për fat të keq, këtë sezon ishte vetëm në letër. Ne patëm lëndime si Demiral, Chiellini dhe Khedira, apo problemet e Rabiot dhe Ramsey. Për pasojë, u përballëm me angazhimet me një ekip më pak konkurrues sesa është vërtet”.