Sport “S’do vija asnjë qindarkë bast për Liverpulin”, parashikimi i Murinjos bën xhiron...

“S’do vija asnjë qindarkë bast për Liverpulin”, parashikimi i Murinjos bën xhiron e botës

Deklarata e Murinjos përpara ndeshjes në studion e “BT Sport” se ai nuk do të kishte vënë asnjë qindarkë bast për Liverpulin se do të përmbyste Barcelonën, iu kthye në bumerang trajnerit portugez, i cili pas humbjes së Liverpulit 3-0 në Barcelonë, kishte thënë se trajneri Klop ishte edhe i mbivlerësuar.

“Unë nuk vë bast në futboll, nuk më pëlqen të vendos baste, por nuk do të vija asnjë qindarke që Liverpuli do të luante në finale. ‘Anfield’ mund të bëjë mrekullira. Por, kjo do të ishte më shumë se një mrekulli. 3-0 do të ishte më shumë se kaq. Ata po humbasin 3-0.

Sot ata duhet të mendojnë sesi mund të krijojnë mjaftueshëm raste për ta mundur Barcelonën pas disfatës me tre gola. Sot ‘Anfield’ është një vend magjik për të luajtur, një vend shumë i bukur. Kur ne themi do jetë e pamundur, nuk është se ne e bëjmë fakt të kryer, por do të jetë gati e pamundur”, u shpreh ish-trajneri i Mançester Junajtid.

Pas ndeshjes deklarata e tij bëri xhiron e botës, ndërsa shumë tifozë kanë nisur ta ironizojnë se ai nuk besonte pasi është mësuar të vërë autobusin para portës.

Edhe vetë Murinjo pranoi gabimin pas ndeshjes: “Nuk e prisja këtë. Thashë se e pamundur nuk është asgjë. Por nëse është e mundur, ‘Anfield’ është një nga vendet që e bën të pamundurën të mundur. Por duhet ta them, ‘remuntada’ ka vetëm një emër, Jyrgen. Mendoj se nuk ka lidhje me taktikën apo filozofinë, por me zemrën dhe shpirtin që ai ka krijuar te ky grup lojtarësh”.