Sport Selahi: Më ka kërkuar Belgjika, por s’mund ta refuzoja fanellën kuqezi

Selahi: Më ka kërkuar Belgjika, por s’mund ta refuzoja fanellën kuqezi

Ditën e parë të grumbullimit të kombëtares së Shqipërisë për dy kualifikueset e tetorit ka dalë në konferencë për shtyp një debutues. Fjala është për Lindon Selahi, i cili ka marrë ftesë nga trajneri Edi Reja. Ai nuk e ka fshehur lumturinë që rikthehet me fanellën kuqezi, tashmë jo me kombëtaret e moshave, por me më të rriturit. Mes të tjerash, ai ka nënvizuar: “E kam merituar të grumbullohem, por kur e kam parë ftesën te klubi, kam qenë shumë i lumtur. E kam pasur ëndërr të luaja për kombëtaren. Unë shpresoj që të luaj, por këtë e vendos trajneri. Do të jap maksimumin në stërvitje. Dy orë ka që kam ardhur, më kanë pritur mjaft mire këtu.

Tani vjen edhe Ramadani me Baren, që i njoh, sepse kam luajtur me ta te Shpresat. I ri kam luajtur me Belgjikën, sepse nuk më kishte thirrur Shqipëria, por kur mora ftesën nga Shqipëria u lumturova shumë. Edhe tani më ka kërkuar Belgjika, por kur e ndjen veten shqiptar, shkon 100% te Shqipëria. Pra, nuk mund të refuzoja. Kombëtarja ka pasur probleme, por tani është mirë. Mendoj se ka mundësi për t’u kualifikuar në Europian. Do të shkojmë për të fituar në Turqi. Për sa më përket mua, mund të luaj në çdo pozicion të fushës. Ky është sezoni i parë që po luaj mjaft mirë me klubin”.