Bota SHBA i bën thirrje Maqedonisë të formojë qeverinë e re

SHBA i bën thirrje Maqedonisë të formojë qeverinë e re

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje ditën e martë udhëheqësve të Maqedonisë të formojnë pa humbur kohë qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e 11 dhjetorit.

Qeveria e re, shprehet përmes një deklarate zëdhënësi në detyrë i Departamentit të Shtetit, Mark Toner, do të ndihmojë për t’i dhënë fund krizës politike, e cila ka dëmtuar rëndë përparimet ekonomike dhe demokratike të vendit, si dhe integrimin Euro-Atlantik të saj.

Uashingtoni u bën thirrje gjithë partive të vënë në radhë të parë interesat e Maqedonisë dhe qytetarëve të saj dhe të zbatojnë plotësisht angazhimet që rrjedhin nga marrëveshja e Përzhinës.

Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët e Bashkimit Evropian dhe NATO-n, po ndjekin nga afër procesin e formimit të qeverisë së re, thekson zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Zoran Zaev, i dorëzoi dje presidentit Gjeorgje Ivanov listën me numrin e duhur të deputetëve për të formuar qeverinë, pas dështimit të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, që ndonëse fitoi në zgjedhje, nuk arriti të krijonte një koalicion qeverisës.

Zaev, është në pritje të marrjes së mandatit për formimin e qeverisë nga presidenti Ivanov, kabineti i të cilit tha të hënën se presidenti pritet të marrë një vendim së shpejti, nëse do t’ia japë apo jo mandatin Zaev-it. Presidenti Ivanov ka thënë më parë se partia që pretedon të formojë qeverinë, përveç sigurimit të 61 deputetëve, duhet të dorëzojë edhe programin përmes të cilit të garantojë ruajtjen e sistemit unitar të shtetit.

Fati i qeverisë së ardhshme në Maqedoni është në duart e partive shqiptare, nga të cilat BDI ka marrë numrin më të madh të vendeve në parlament. Përmes një qëndrimi të përbashkët, 3 parti shqiptare kanë paraqitur një sërë kushtesh për të mbështetur koalicion qeverisë, ku kryesorja është avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe.

LSD dhe BD bënë të ditur se qëndrimet e tyre ishin përafruar, por marrëveshja nuk është bërë ende e ditur.

Negociatat mes tyre pritet të vazhdojnë pas dhënies së mandatit nga presidenti. BDI ende nuk e ka shprehur të qartë qëndrimin e saj në se do të jetë pjesë e qeverisë, apo vetëm do të japë mbështetjen për krijimin e saj, por pa u bërë pjesë e bashkë-qeverisjes, duke e lënë partinë social demorkate si një qeveri të pakicës.

Përkrahës të partisë VMRO-DPMNE ndërkohë kanë filluar prej dy ditësh protesta në Shkup kundër asaj që e quajnë federalizim të Maqedonisë, duke kundërshtuar zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe.