Aktualitet SHBA dënon sulmin kibernetik në sistemin TIMS

SHBA dënon sulmin kibernetik në sistemin TIMS

SHBA ka dënuar sulmin kibernetik në sistemin TIMS në Shqipëri. Në një deklaratë të shkurtër në rrjetet sociale, Këshilli Kombëtar i Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë thotë se Uashingtoni po mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të rikthyer situatën në normalitet.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë sulmin kibernetik të 9 Shtatorit kundër aleatit tonë të NATO-s, Shqipërisë. Ky aktivitet keqdashës kundër Shqipërisë vjen pas sulmit kibernetik të 15 Korrikut të kryer nga qeveria e Iranit. Qeveria e SHBA po mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të hetuar dhe rikthyer normalitetin”, thuhet në deklaratë.

Sistemi i Menaxhimit të të Dhënave ra të premten pre e një sulmi kibernetik, që krijoi vështirësi në pikat kufitare për regjistrimin e shtetasve në hyrje dhe dalje. Kryeministri Edi Rama në një postim në Twitter shtoi se përgjegjës është i njëjti agresor që sulmoi sistemet online më 15 korrik, Republika Islamike e Iranit.

Sulmi erdhi dy ditë pasi qeveria shqiptare ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Iranit duke dëbuar përfaqësinë diplomatike që ndodhej në Shqipëri, si përgjigje ndaj sulmit kibernetik.