Bota ”SHBA sulmoi gazsjellësit Nord Stream”, Putin: Mund të dërgojmë më shumë gaz...

”SHBA sulmoi gazsjellësit Nord Stream”, Putin: Mund të dërgojmë më shumë gaz në BE, të vendosin vetë

Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi drejtpërdrejtë Shtetet e Bashkuara për sulmet ndaj gazsjellësit Nord Stream.

Në një fjalim në kuadër të javës së energjisë, shefi i Kremlinit i cilësoi si akt terrorizmi ndërkombëtar rrjedhjet e papritura në tubacionet që çojnë gazin nga Rusia ne Europë.

“Nuk ka dyshime sa sabotazhi ndaj gazsjellësve Nord Stream 1 dhe 2 është një akt i terrorizmit ndërkombëtar. Qëllimi është që të minohet siguria energjetike e të gjithë kontinentit. Është shumë e qartë se kush qëndron pas e kush përfiton nga kjo. Tani vendet europiane po detyrohen të blejnë sasi më të mëdha të gazit të lëngshëm nga SHBA, i cili është inferior ndaj atij rus në terma të konkurrencës”, tha Putin.

Presidenti rus shtoi më tej se ishin të gatshëm t’i ofronin sasi të mëtejshme gazi Europës gjatë sezonit të dimrit përmes gazsjellësit Nord Stream 2. Topi është në anën e Bashkimit Europian, ishin fjalët e Putin. Sipas tij, Rusia nuk ka lidhje fare me çmimet stratosferike të energjisë që kërcënojnë europianët këtë dimër, ndërsa fajësoi Perëndimin për nxitjen e një krize globale të energjisë.

“Gazi që po shkon në tregjet europian është trefish më i shtrenjtë dhe po rrit ndjeshëm inflacionin. Ai ka arritur në mbi 10 për qind në Eurozonë. Janë europianët e thjeshtë që po vuajnë, e ashtu si në Mesjetë njerëzit po mbledhin dru për t’i bërë ballë dimrit”, u shpreh lideri i Rusisë.

Putin propozoi edhe krijimin e qendrës më të madhe të gazit për Europën në Turqi dhe vuri në dukje se vëllimi i humbur mund të zhvendosej atje. Ai gjithashtu theksoi se Rusia nuk do të furnizojë produkte energjetike për vendet që vendosin një gamë më të lartë të çmimeve për to.

Sakaq, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov reagoi mbi deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, i cili sipas tij kishte pranuar se aleanca po luftonte krah Ukrainës kundër Rusisë. Kjo, tha Peskov, është ekstremisht e rrezikshme.

Gjithashtu, ai e quajti të dëmshme dhe provokuese retorikën e liderëve perëndimor mbi përdorimin e armëve bërthamore. Mes zhurmës për mundësinë e një takimi mes Putin dhe Biden, gjatë samitit të G20-tës, Peskov sqaroi se as Moska e as Uashingtoni po angazhohen për bisedime të nivelit të lartë.