Bota Shefi i Twitter do të japë 28% të pasurisë së tij për...

Shefi i Twitter do të japë 28% të pasurisë së tij për luftën kundër koronavirusit

Themeluesi i Twitter dhe aplikacionit Square, Jack Dorsey deklaroi se do të dhurojë 1 miliard dollarë në përpjekjet për të luftuar pandeminë e koronavirusit, shifër kjo e cila përfaqëson 28% të pasurisë së tij. Ai e dha këtë lajm përmes një postimi në Twitter, duke thënë se nevojat për të përballuar këtë virus të ri janë shumë të mëdha.

Dorsey nuk e specifikoi ekzaktësisht se ku do të dërgohen këto fonde në ndihmë të luftës kundër Covid-19. Në Shtetet e Bashkuara ka një nevojë të menjëhershme për ventilatorë dhe pajisje të tjerë mjekësore mbrojtëse dhe gjithashtu mijëra persona janë duke u përballuar me gjendje të rënduar ekonomike për shkak të papunësisë.

Krijuesi i Twitter shpjegon se për këtë dhurim do të përdoren aksionet e tij në kompaninë Square, të cilat pasi të shiten do të shpërndahen përmes fondacionit “Start Small”.

Jack Dorsey nuk është i vetmi miliarder i teknologji që dhuron pjesë të pasurisë së tij në përpjekjet për të luftuar koronavirusin.

Themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg ka premtuar 30 milionë dollarë në përpjekjet për gjetjen e një ilaçi që do të luftojë këtë virus.

Shefi i Amazon, Jeff Bezos ka dhurua 100 milionë dollarë në bankat e ushqimit në Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar personat që përballen me urinë në këto kohë të vështira.

Ndërsa shefi ekzekutiv i Apple, Tim Cook premtoi pajisje mjekësore për Italinë e goditur rëndë nga pandemia.