Aktualitet Shefja e spiunazhit amerikan: Putin nuk mund t’ia lejojë vetes ta humbasë...

Shefja e spiunazhit amerikan: Putin nuk mund t’ia lejojë vetes ta humbasë këtë luftë

Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare Amerikane, Avril Haines, ka raportuar së fundmi në një seancë dëgjimore në Kongres, ku ka folur për situatën e krijuar në Ukrainë dhe madje dhe për presidentin rus, Putin.

Sipas Haines, Putin mendon se Perëndimi nuk i jep atij respektin e duhur dhe për këtë arsye nuk mund t’ia lejojë vetes të humbasë këtë luftë.

“Vlerësojmë se Putini ndihet i prekur nga fakti që Perëndimi nuk i jep atij respektin e duhur dhe e percepton këtë si një luftë që nuk mund t’ia lejojë vetes ta humbasë. Mendojmë se nuk ka gjasa që Putini të frenohet nga pengesat e hasura deri më tani dhe në vend të kësaj do të intensifikojë përpjekjet e tij për të arritur çarmatimin, neutralitetin e Ukrainës dhe për të parandaluar integrimin e mëtejshëm me SHBA-në dhe NATO-n, nëse ai dështon ta bëjë këtë me negociatat diplomatike”, tha drejtoresha e Inteligjencës Amerikane.

Duke folur para Komisionit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve për Inteligjencën mbi kërcënimet në mbarë botën, drejtorja e Inteligjencës Kombëtare Avril Haines tha se pushtimi rus deri tani ka “vijuar në përputhje me planin që ata kishin hartuar, vetëm se rusët po përballen dukshëm me më shumë rezistencë nga ukrainasit nga sa prisnin dhe duke hasur në mangësi serioze ushtarake.”

Mbetet ende “e paqartë” nëse Rusia do të ndjekë një “plan maksimalisht për të kapur të gjithë ose pjesën më të madhe të Ukrainës”, tha Haines. “Ka të ngjarë që të ketë një luftë të vazhdueshme për shkak të përpjekjeve të forcave ukrainase, të cilat kanë dëshmuar aftësitë e tyre gjatë ditëve të luftimeve me pushtuesit rusë”, shtoi ajo.

Haines tha se Putini “ndoshta parashikoi” shumë nga sanksionet financiare të vendosura nga vendet perëndimore në përgjigje të agresionit të Rusisë “kur ai vuri në peshë kostot e pushtimit”.

Sipas saj, Putin ndoshta nuk e parashikoi shkallën e masave të cilat Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do të ndërmerrnin për të minuar luftën e Rusisë.

Duket se Putin e nënvlerësoi “tërheqjen nga Rusia të sektorit privat” tha Haines. Gjigantët evropianë të energjisë BP dhe Shell njoftuan të martën se nuk do të bënin asnjë blerje të re të naftës dhe gazit rus.

Pavarësisht këtyre pengesave ekonomike dhe ushtarake, Haines tha se zyrtarët amerikanë besojnë se Putini “nuk ka gjasa të ndalet” dhe në vend të kësaj mund të përshkallëzojë luftën duke dyfishuar forcat për të arritur çarmatimin dhe neutralitetin e Ukrainës dhe për ta ndaluar atë nga integrimi i mëtejshëm në NATO nëse nuk e bën këtë me negociata diplomatike.