Bota Shërbimi sekret danez ndihmoi amerikanët për të përgjuar Merkel

Shërbimi sekret danez ndihmoi amerikanët për të përgjuar Merkel

Shërbimi sekret i Danimarkës ka ndihmuar Shtetet e Bashkuara që të përgjojë politikanë të Europës, përfshi kancelaren Angela Merkel nga viti 2012 në 2014, si dhe zyrtarë të tjerë nga Franca, Suedia dhe Norvegjia.

Një raport i publikuar së fundmi nga mediat daneze zbulon se Shërbimi Sekret i Danimarkës ndihmoi SHBA të spiunonte politikanët europianë, përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel, nga viti 2012 në 2014.

Sipas raportit të prezantuar në “Danmarks Radio”, Shërbimi Inteligjent i Mbrojtjes (FE) bashkëpunoi me Agjencinë Kombëtare të Sigurisë në SHBA (NSA) për të mbledhur informacion.

Të dhëna u mblodhën gjithashtu dhe mbi zyrtarë të tjerë nga Gjermania, Franca, Suedia dhe Norvegjia.

Akuza të ngjashme shpërthyen për herë të parë në vitin 2013. Në atë kohë, sekretet e zbuluara nga Edward Snowden tregonin se NSA kishte përgjuar dhe telefonin e kancelares gjermane.

Kur u bënë ato akuza, Shtëpia e Bardhë nuk dha asnjë përgjigje të plotë, por tha se telefoni i zonjës Merkel nuk ishte duke u përgjuar, pasi Gjermania është një aleate e ngushtë e SHBA.

Në raportin e ri, të ndarë me disa agjenci europiane lajmesh, NSA thuhet se ka hyrë në mesazhet me tekst dhe bisedat telefonike të një numri individësh të njohur duke përdorur kabllot daneze të internetit në bashkëpunim me Shërbimin Sekrete.

Së bashku me zonjën Merkel, në shënjestër të përgjimeve ishte dhe Ministri i atëhershëm i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe udhëheqësi i opozitës Peer Steinbruck.

Ministri i Mbrojtjes i Danimarkës Trine Bramsen, i cili thuhet se ishte informuar më herët për spiunazhin, i tha Danmarks Radio se “përgjimi sistematik i aleatëve të ngushtë është i papranueshëm”.

Inteligjenca daneze dhe Agjencia amerikane e Sigurisë Kombëtare nuk kanë komentuar ende mbi raportin e fundit.

Pas publikimit të raportit të dielën, Snowden akuzoi presidentin amerikan Joe Biden se “ishte thellësisht in përfshirë në këtë skandal që në herën e parë”. Biden mbante postin e zv-presidentit në kohën kur pretendohet se janë kryer përgjimet.

Në 2013, Edward Snowden nxori në media detaje të përgjimeve të shumta të kryera nga inteligjenca amerikane.

Ai u dënua nga SHBA për “vjedhje të pronës qeveritare”, “komunikim të paautorizuar të informacioneve mbi të dhëna të sigurisë kombëtare” dhe “nxjerrje të informacioneve sekrete me dashje”. Më pas, Snowden kërkoi azil në Rusi.

Përpara publikimit të këtyre të dhënave, zyrtarë të lartë të inteligjencës amerikane kanë këmbëngulur gjithmonë se shërbimet sekrete nuk kanë mbledhur të dhëna nga biseda telefonike private.