Bota “Shërohet” Vuhani, me 8 prill del plotësisht nga izolimi

“Shërohet” Vuhani, me 8 prill del plotësisht nga izolimi

Vuhani, i cili konsiderohet dhe si vatra kryesore ku shpërtheu pandemia Covid-19, do të dalë nga izolimi më 8 prill.

Ky vendim erdhi pas një lufte të ashpër kundër virusit të ri Covid-19, si dhe mosregjistrimit të asnjë rasti të ri me infeksion në vend, për disa ditë radhazi.

Komisioni i Shëndetësisë në Kinë, vendosi që të heqë ndalimin e udhëtimit për të hyrë dhe për të dalë nga provinca Hubeit, duke filluar nga data 25 mars, me një përjashtim për qytetin Vuhan.

Sipas autoriteteve, në Vuhan këto ndalime udhëtimi do të lehtësohen me 8 prill dhe njerëzit do të kenë mundësi të lëvizin në bazën e një kodi shëndetësor.

Ndërkaq, rastet e para me koronavirus u shfaqen në Vuhan, në fund të vitit të kaluar.

Prej atëherë, ato janë shpërndarë në mbi 150 vende të botës dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur Covid-19, pandemi.

Vendet e prekura kanë ndërmarrë masa të ashpra për të frenuar përhapjen e saj, duke mbyllur shkollat, bizneset dhe kufijtë.

Aktualisht, epiqendër e sëmundjes, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është Evropa. Virusi ka prekur mbi 381,000 njerëz në gjithë botën, ndërsa mbi 16,500 kanë humbur jetën./BBC/