Bota Shitën zbardhuesit si ilaç kundër Covid, kjo familje amerikane rrezikon burgimin e...

Shitën zbardhuesit si ilaç kundër Covid, kjo familje amerikane rrezikon burgimin e përjetshëm

Mark Grenon, një baba 62-vjeçar dhe tre djemtë e tij Jonathan, Joseph dhe Jordan janë akuzuar për mashtrim për prodhimin, promovimin dhe shitjen e një produkti që ata e quajtën Miracle Mineral Solution, ose MMS, nën përshkrimin se ishte një ilaç për COVID-19.

Në të vërtetë është një solucion kimik që përmban ujë dhe një zbardhues që ata pretendojnë se përveç koronavirusit, mund të kurojë kancerin, HIV, AIDS, sëmundjen e Parkinsonit dhe Alzheimerin.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka paralajmëruar njerëzit që të mos pinë këto produkte “magjike” pasi ato mund të shkaktojnë të vjella, diarre, të përziera dhe dehidrim.

“FDA ka marrë raporte të konsumatorëve që vuajnë nga të vjella të rënda, diarre të rëndë, presion të ulët të gjakut kërcënues për jetën të shkaktuar nga dehidrimi dhe dështimi akut i mëlçisë pas pirjes së këtyre produkteve“, tha deklarata.

Sipas deklaratës zyrtare, babë e bij dyshohet se kanë shitur dhjetëra mijëra shishe MMS në të gjithë vendin dhe kështu kanë fituar rreth 1 milion dollarë. Dokumentet e gjykatës pretendojnë se familja fitoi rreth 32,000 dollarë amerikanë në muaj duke shitur ilaçin para se koronavirusi të mbërrinte në Shtetet e Bashkuara.

Sipas LADbible, kjo familje amerikane rrezikon burgim të përjetshëm.