Bota Shkencëtarët holandeze: Jemi pranë ilaçit kundër koronavirusit

Shkencëtarët holandeze: Jemi pranë ilaçit kundër koronavirusit

Një grup shkencëtarësh nga universiteti i Utrehtit në Holandë japin shpresë për gjetjen e një kure kundër koronavirusit më herët se 18 muaj, kur është afati i parashikuar për krijimin e vaksinave.

Sipas arkivit shkencor online Biorxiv, ata kanë arritur të përshtasin përbërjen e një ilaçi të prodhuar më parë për Sarsin, për të luftuar koronavirusin. Provat e deritanishme kanë qenë rezultative, por pritet të kryet provat tek njerëzit për të parë efektivitetin e tij.

Ekipi holandez thotë se ilaçi i ri përmban anti-trupa që i bashkëngjiten proteinës e njohur me emrin Spajk që rrethon sipërfaqen e koronavirusit. Duke iu bashkangjitur kësaj proteine jetike për virusin, antitrupat ia bëjnë të pamundur koronavirusit penetrimin në brendësi të qelizës për t’u shumëfishuar.

Kjo është edhe arsyeja pse shkencëtarët holandezë thonë se ky ilaç ka një efekt tepër të rëndësishëm për trajtimin dhe parandalimin e COVID-19-ës. Ekipi është në pritje të përgjigjeve nga autoritetet pas aplikimit për t’iu nënshtruar provave rigoroze tek njerëzit.