Bota Shpërthimi që vrau 6 persona, Turqia fajëson militantët kurdë

Shpërthimi që vrau 6 persona, Turqia fajëson militantët kurdë

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, fajësoi militantët kurdë për shpërthimin që vrau 6 persona dhe la të plagosur mbi 80 të tjerë rreth orës 16.20 të së dielës në rrugën e këmbësorëve në lagjen “Istiklal” në sheshin Taksim.

Sipas agjencisë “Reuters”, policia arrestoi 22 persona të dyshuar, duke përfshirë edhe personin që kishte vendosur bombën. Soylu deklaron se urdhri për sulmin në Avenue Istiklal të Stambollit u dha në Kobani, një qytet në Sirinë veriore, ku forcat turke kanë kryer operacione kundër milicisë kurde siriane në vitet e fundit.

Pamjet e publikuara në mediat ndërkombëtare tregojnë një grua, duke lënë një paketë poshtë një dyqani lulesh në Avenue Istiklal, një vend i populluar edhe nga shumë turistë.

Pesëdhjetë persona të cilët kishin marrë plagë të lehta dolën nga spitali pas sulmit të së dielës, i cili ngjalli shqetësime se Turqia mund të vihej në shënjestër të më shumë bombardimeve dhe sulmeve, si seria e sulmeve që pësoi nga mesi i vitit 2015 deri në 2017.

Qindra njerëz u larguan pas shpërthimit të së dielës, ndërsa ambulancat dhe policia u vendosën në dispozicion. Zona, në lagjen Beyoglu të qytetit më të madh të Turqisë, ishte e mbushur me njerëz si zakonisht në fundjavë me blerës, turistë dhe familjarë.

Presidenti Erdogan i cili aktualisht ndodhet në Bali në kuadër të samitit të G20 siguroi qytetaret se  do te gjenden fajtorët dhe ata që qëndrojnë pas këtij sulmi të tmerrshëm.

“Përpjekjet për të pushtuar Turqinë dhe kombin turk me terrorizëm nuk do të arrijnë qëllimin e tyre, u shpreh ai Stambolli ka qenë në shënjestër në të kaluarën nga militantët kurdë, islamikë dhe të majtë”.

Sulmi është dënuar edhe nga disa vende, duke përfshirë Azerbajxhanin, Britaninë, Egjiptin, Greqinë, Italinë, Pakistanin dhe Ukrainën.