Kryesore Shpëtojnë emigrantët e turistët, nuk u hiqet patenta në Shqipëri

Shpëtojnë emigrantët e turistët, nuk u hiqet patenta në Shqipëri

Parlamenti ka rifutur për votim projektligjin për ndryshimin e Kodit Rrugor, një nismë e paraqitur një vit më parë nga deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu.
Ndryshimi i paraqitur kërkonte kalimin me shumicë të cilësuar të votave dhe përplasja me demokratët ka bërë që të mos siguroheshin 84 votat e nevojshme për ta miratuar. Krijimi i “opozitës së re” i ka pjekur kushtet që mazhoranca t’i sigurojë votat e duhura për të kaluar ndryshimin e kërkuar.

Thelbi i këtyre ndryshimeve konsiston në konvertimin e masës së heqjen e patentës nga shtetasit e huaj që kryejnë shkelje në Shqipëri në një gjobë sa dyfishi i vlerës.
“Lejedrejtimi pezullohet nga organi epror i agjentit të policisë që ka tërhequr lejedrejtimin dhe për lejedrejtimet e lëshuara nga një shtet i huaj, pezullimi i parashikuar në dispozitat e këtij neni konvertohet në pagesën e një shume që është sa dyfishi i masës administrative maksimale të parashikuar për dispozitën e shkelur”, thuhet në propozimin e ri Kodit Rrugor.
Ky amendim parashikon ndryshimin e nenit 127 të Kodit, i cili parashikonte një procedurë të posaçme për pezullimin e patentave, duke përfshirë disa institucione si prefektin, ministrinë e Jashtme.
“Lejedrejtimi pezullohet nga organi epror i agjentit të policisë që ka tërhequr lejedrejtimin dhe, për lejedrejtimet e lëshuara nga një shtet i huaj, nga Institucioni i Prefektit, në juridiksionin e të cilit është konstatuar shkelja, sipas pikës 1 të këtij neni. Prefekti, brenda 5 ditëve, njofton organin e Policisë Rrugore për vendimin e marrë, duke i dërguar atë së bashku me lejedrejtimin. Organi i Policisë Rrugore përgjigjet për administrimin e dokumentacionit dhe dërgimin e tyre, brenda 5 ditëve, në Drejtorinë Konsullore te Ministrisë së Jashtme”, thuhet në pikën 3 të këtij neni.
Deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu në propozimin e paraqitur argumenton nismën se kjo masë do t’i lehtësonte turistët e shumtë që vijnë në sezonin e verës në Shqipëri, ku pjesa më e madhe janë nga Kosova, Maqedonia, por edhe emigrantët shqiptarë nga vendet e BE. “Zbatimi i pikës 3 nuk ka siguruar një normalitet të punës për organet zbatuese të ligjit dhe në mjaft raste janë konstatuar edhe elementë korruptive. Në këto kushte, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, duke vlerësuar shqetësimet e shtetasve kosovarë, emigrantëve, por dhe shtetasve të huaj, si drejtues mjetesh, që udhëtojnë në një numër shumë të madh në Shqipëri, veçanërisht gjatë periudhës së verës, si dhe duke marrë në konsideratë faktin që duhet të shmangim hallka të panevojshme institucionale për zbatimin e Kodit Rrugor dhe mirëfunksionimin e ligjit”, shprehet Ndreu.
Shumë emigrantë apo turistë sipas propozuesit të nismës janë detyruar që të humbin edhe vendin e punës për shkak se duhet të prisnin tre javë a më shumë për marrjen e patentës, daljen në komisione, paraqitjen e dokumenteve pranë institucioneve, apo dhe shlyerjen e pagesave të gjobave.

Propozimi për dyfishim te sanksionit me masë administrative në “këmbim” të mos pezullimit të lejedrejtimit për drejtuesit e mjeteve me lejedrejtimi të lëshuar nga një shtet i huaj, do të jetë një masë lehtësuese për drejtuesit e mjeteve. Sipas Ndreut, ky ndryshim do të ketë një impakt mjaft pozitiv për drejtuesit e mjeteve nga Kosova, të cilët vijnë në Shqipëri çdo fundjavë dhe sidomos për sezonin turistik.
“Impakt pozitiv ndryshimi do të ketë edhe për drejtuesit e mjeteve joshqiptare me kombësi të huaj, të cilët do të ndiejnë “shtrëngesën” në pagesën e një masë dyfish për shkeljen e kryer dhe nuk do të kenë vonesa dhe humbje të panevojshme nga shkuarja tek Institucioni i Prefektit për të aplikuar për falje, etj”, thekson nismëtari.
Gjithashtu parashikohet se ndryshimi i propozuar do të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit nga kryerja e shkeljeve të mësipërme të parashikuara dhe vjelja dyfish të shumës së masës administrative të parashikuar për dispozitën e shkelur. Amendimi i propozuar do të ndikojë drejtpërdrejt për eliminimin e shfaqjeve korruptive dhe të perceptimit negativ që ekziston në publik për Policinë Rrugore, e cila sot aplikon masat për këtë kategori në zbatim të dispozitës përkatëse.

Kuvendi i miratoi ndryshimet ligjore të Kodit Rrugor në seancën parlamentare me 92 vota pro, 1 kundër, 5 abstenim.

Sipas një raporti më të fundit të INSTAT shtetasit e huaj që hyjnë në Shqipëri vijnë kryesisht nga këto shtete: Kosova (35 %), Maqedonia e Veriut (11 %), Greqia (9 %), Mali i Zi (6 %) dhe Italia (7 %). Gjithashtu theksohet se pjesa më e madhe e shtetasve të huaj hyjnë në Shqipëri nëpërmjet rrugës tokësore, 83,1% e totalit të hyrjeve të llogaritur nga 2014-2018. Vitin e kaluar nëpërmjet rrugës tokësore, kalimit të pikës kufitare shifra llogaritet për 4.796.000 persona.
Sipas INSTAT, numri i pushuesve që vijnë me automjetet personave në Shqipëri ka këtë shpërndarje, ku 81 për qind e shtetasve shqiptarë nga Kosova; 85 për qind e shtetasve të Maqedonisë së Veriut, më pas 71 % e pushuesve nga Greqia, ndërsa nga Italia janë 46% e pushuesve.

Formulimet e nenit të ri Kodit Rrugor
‘3. Lejedrejtimi pezullohet nga organi epror i agjentit të policisë që ka tërhequr lejedrejtimin dhe, për lejedrejtimet e lëshuara nga një shtet i huaj, nga organi përgjegjës i qeverisjes vendore të vendit ku është kryer shkelja, sipas pikës 1 të këtij neni. Ky i fundit ia njofton masën e marrë autoritetit kompetent të shtetit që e ka lëshuar lejedrejtimin dhe e shënon, kur kjo është e mundur, në dokumentin e drejtimit të mjetit.

3/1 Kundër masës së pezullimit të lejedrejtimit lejohet ankim, brenda 20 ditësh, tek organet përkatëse të drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Kjo drejtori merr masa brenda 30 ditëve në vijim. Kur ankesa gjykohet e drejtë, të interesuarit i kthehet lejedrejtimi.

3/2Lejedrejtimi pezullohet nga organi epror i agjentit të policisë që ka tërhequr lejedrejtimin dhe për lejedrejtimet e lëshuara nga një shtet i huaj, pezullimi i parashikuar në dispozitat e këtij neni konvertohet në pagesën e një shume që është sa dyfishi i masës administrative maksimale të parashikuar për dispozitën e shkelur.