Kryesore Si e ngriti Haradinaj flamurin e UÇK-së në mes të luftës

Si e ngriti Haradinaj flamurin e UÇK-së në mes të luftës

| Nga American Eye
Shpërndaje

Pjesë nga libri “HAGA E RAMUSH HARADINAJ”

Nga Michael O’Reilly

Në korrik të vitit 1998, periudhës së pavendosmërisë së Millosheviçit i erdhi fundi. Forcave serbe u mbërritën urdhrat për të shtypur rebelimin, duke shënuar fillimin e “ofensivës serbe të verës”. Serbët me pajisjet dhe forcat e tyre shumë superiore, goditën me shpejtësi vijat e frontit të UÇK-së. Ata nuk ndaluan tek ato, por bombarduan edhe rajonet ku ishte raportuar aktiviteti i UÇK-së, duke vërshuar në brendësi të tyre, shpeshherë duke djegur gjithçka gjenin përpara. Rreth çerek milionë njerëz (nga një popullsi që shkonte në total rreth dy milionë banorë) u dëbuan. Vështirësitë e refugjatëve u pasqyruan gjallërisht nëpër ekranet e televizioneve anembanë botës.

Në Kosovën perëndimore, forcat serbe i drejtuan sulmet e tyre veçanërisht kundër Junikut, Jablanicës, Gllogjanit dhe një fshati afër Gllogjanit në buzë të rrugës Pejë-Gjakovë, i quajtur Prilep. Të katër fshatrat qenë nën kontrollin e Ramush Haradinajt, por në realitet ai kontrollonte ngjarjet e përditshme vetëm në zonën Gllogjan-Prilep. Në një tjetër rast, gjykatësit në Hagë arsyetuan se përgjatë këtyre ofensivave ushtarake, forcat serbe u angazhuan në kryerjen e sulmeve pa dallim kundër civilëve, si dhe në djegien dhe bastisjen e shtëpive – akte që shkelnin të drejtën ndërkombëtare humanitare.

Anembanë Kosovës, UÇK ishte tërhequr në male dhe fshatra për t’u rigrupuar. Ndërkaq, rezistencës së armatosur iu bashkua një tjetër formacion ushtarak, i filluar nga Bujar Bukoshi, ende kryeministër i qeverisë paralele në azil. Bukoshi e kishte shkëputur krejtësisht veten nga Rugova dhe dëshironte të lehtësonte rezistencën. Por megjithatë ai e kuptoi se ngjarjet po e linin pas. Mijëra të rinj të etur për të luftuar kishin nevojë për udhëheqje, armë dhe furnizime. Por edhe pse kishte grumbulluar shumë të ardhura nga fondi prej 3 për qind, ai nuk kishte strukturat për t’u furnizuar me pajisjet e nevojshme. Në fund të majit, Bukoshi iu qas Xhavit Halitit, një prej anëtarëve kryesorë të Shtabit Qendror, në përpjekje për të kombinuar përpjekjet për të ndihmuar luftën. Oferta e tij u refuzua dhe iu kërkua haptazi të dorëzonte paratë dhe të hiqej qafe. Ai refuzoi dhe filloi një përpjekje të nxituar për të krijuar një ushtri të sponsorizuar nga “qeveria” që do të ndihmonte luftën. Kështu lindën Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).

Ndonëse detajet janë të mjegullta, duket se Bukoshi dhe Haliti i zgjidhën mjaft shpejt mospajtimet mes tyre. Logjika e marrëveshjes, e arritur në Oslo, ishte jashtëzakonisht e fortë ndërsa shpejtësia e implementimit të saj impresionuese. Bukoshi caktoi ministër Mbrojtjeje Ahmet Krasniqin, i cili kishte shërbyer si kolonel në ushtrinë jugosllave, si dhe pajtoi dhjetëra ish oficerë ushtarakë të ish Jugosllavisë me etni shqiptare.

Për UÇK-në kjo ishte një shans i mirë për të rritur numrin e luftëtarëve dhe komandantëve nëpër fshatra me ushtarë profesionistë. Për qeverinë në azil ajo ofroi një shans për t’iu bashkuar përpjekjes së luftës duke ndërthurur një forcë me disiplinë dhe trajnim ushtarak me UÇK-në baza e të cilës përbëhej nga vullnetarë prej fshatrave. Gjithashtu kjo rriste gjasat për të tërhequr një vëmendje më të favorshme ndërkombëtare dhe të garantonte ambiciet e saj në një rend të ri politik. Por Shtabi Qendror i UÇK-së nuk kishte as autoritetin dhe as kapacitetin organizativ të implementonte pjesën e vet të marrëveshjes, ndaj dështoi të informonte komandantët në terren mbi ndryshimet që po ndodhnin.

Brenda më pak se dy muajve u grumbullua një ushtri e vogël, e organizuar dhe e armatosur. Në mes të korrikut, Tahir Zemaj nga Shqipëria, një oficer ushtarak me eksperiencë me gradën kolonel, iu bashkua zonës së komandës së Ramush Haradinajt në Kosovë, bashkë me tre brigada të FARK-ut. Ata për pak sa nuk u përfshinë në një masakër vëllavrasëse. Të sapoardhurit, kryesisht të huaj për zonën, të udhëhequr nga veteranë të ushtrisë jugosllave, shiheshin me dyshim dhe frikë nga disa ushtarë lokalë të UÇK-së që ishin gati të përballeshin me ta.

Haradinaj e gjeti papritur veten me këto brigada të FARK-ut në zonën e tij, me hierarkinë e tyre të komandës. Kjo ishte hera e parë që ai dëgjoi për marrëveshjen e Oslos. Ai dëshironte që oficerët e FARK-ut të shpërndaheshin mes njësive të UÇK-së nëpër fshatra, të cilat kishin mjerisht mungesë ushtarësh të trajnuar. Zemaj dëshironte të mbante bashkë njësitë e tij. Mosmarrëveshja u zgjidh me një marrëveshje për të krijuar tre brigada të përbashkëta.

Por dyshimet dhe mosbesimi mbetën. Marrëdhëniet mes UÇK me bazë fshatare dhe ushtarëve të trajnuar të FARK-ut ishin edhe më të tensionuara në pjesën tjetër të Kosovës. Në fakt kishte dy komanda dhe dy vizione të fushatës ushtarake, një vendosmërisht dhe ekskluzivisht militanteske dhe një qasje tjetër shumë më politike. UÇK-ja me bazë fshatare tashmë i nënshtrohej komandantëve të zonave, si Haradinaj, që kishin për qëllim të krijonin një ushtri, zonë pas zone, dhe një strategji të unifikuar ushtarake. Por tashmë në mes hyri FARK-u që dëshironte ta përfshinte UÇK-në brenda një ushtrie zyrtare të udhëhequr nga “qeveria” dhe të zëvendësonte komandantët aktualë të zonave, të cilat i karakterizonte si “kaubojsa”. Në vorbullën e vrasjeve të përditshme dhe të bombardimeve masive, ndasi të tilla ishin fatale për shpresat e një strategjie të suksesshme ushtarake.

Plasaritja e madhe e strategjisë ushtarake të shqiptarëve të Kosovës ishte përçarja dhe antipatitë mes UÇK-së dhe qeverisë në azil, mes luftëtarëve në terren dhe Shtabit Qendror dhe hera-herës brenda vetë UÇK-së. Kur vinte puna për çështjet ushtarake, Haradinaj e trajtonte Shtabin Qendror në Drenicë me një perde të hollë mospërfilljeje e përbuzjeje. Por ai nuk u besonte atyre as në nivel individual, duke dyshuar në integritetin e individëve të caktuar që endeshin mes Tiranës e Prishtinës, duke iu shmangur fushëbetejës dhe duke fërkuar duart për të vjelë dekoratat dhe shpërblimet në jetën civile kur lufta të përfundonte. Loja e gjatë për lidershipin e Drenicës kishte gjithnjë në qendër kontrollin politik; ajo u përpoq të bashkonte UÇK-në në një sipërmarrje të vetme politike, në opozitë me qeverinë në azil, ndërsa UÇK-ja në Dukagjin fokusohej tek çlirimi si qëllim në vetvete, duke ia lënë politikën politikanëve. Asnjë prej komandantëve të zonës nuk ishte anëtar i Shtabit Qendror. Haradinaj, një njeri me durim të kufizuar në rastin më të mirë, kishte deklaruar: na kërkohej të vepronim sipas urdhrave nga ‘bashkëluftëtarë’ që askush nuk i njihte (…) Lufta në Kosovë u zhvillua nga Komandantët e Zonave, jo nga divizioni politik (…) Le të jemi të qartë për këtë: divizioni politik mund të ketë qenë fare mirë në hënë.

Paaftësia e ‘vendit amë’ për të luajtur një rol të dobishëm në luftë ishte një tjetër tragjedi. Kolapsi social dhe ekonomik i Shqipërisë në vitin 1997 paraqitet zakonisht si dhuratë për forcimin e UÇK-së që po lindte, duke krijuar një burim të lirë armësh përtej kufirit. Megjithatë ajo kishte një dobësi shumë serioze. Kur lufta filloi nuk kishte ushtri shqiptare që të dërgonte njësitet e saj në Kosovë në mbrojtje të fshatrave shqiptare. Padyshim që nuk mund të themi me siguri nëse Shqipëria do të kishte ndërhyrë. Një ndërhyrje e tillë do të prodhonte një konflikt krejt të ndryshëm: me përmasa ndërkombëtare, që mund të ishte përshkallëzuar përtej ngjarjeve të përnjëmendta të viteve 1998-1999. Vetë Haradinaj duket se ka besuar që problemet në shtetin shqiptar shkonin më thellë sesa ngjarjet e jashtëzakonshme të vitit 1997 dhe se ndërhyrja nuk kishte qenë kurrë një opsion real. Në kujtimet e tij ai pohonte se:

Lufta mund të kishte përfunduar në shtator të vitit 1998, kur trupat e huaja ishin të gatshme të futeshin në Kosovë, por Shqipëria nuk luajti pjesën që i takonte. Shqipëria nuk ishte fare në gjendje të luante një rol inkurajues në këto zhvillime. Infrastruktura e Shqipërisë dhe niveli i zhvillimit shoqëror në përgjithësi nuk bënte të mundur asnjë operacion madhor që do të përfshinte dërgimin e 50.000 trupave në Kosovë.

Ajo çka kishte ndërmend këtu nuk ishte një pushtim ushtarak i Kosovës nga Shqipëria, të cilit ushtria jugosllave do t’i ishte kundërpërgjigjur me të gjithë fuqinë e saj në një mbrojtje krejtësisht të ligjshme të sovranitetit territorial, por se Shqipëria mund të kishte kontribuuar për të lehtësuar një reagim ushtarak ndërkombëtar. Por Shqipëria nuk mund ta bënte as këtë.

FARK-u, ushtria e qeverisë në azil, e krijuar në përpjekje për të uzurpuar hegjemoninë politike të UÇK-së rezultoi një tjetër katastrofë, pasojat e të cilës vijojnë ta ndoti jetën politike të Kosovës. Siç kujton Haradinaj: Njerëzit filluan të pyesnin: ‘Jeni me Ramushin apo me qeverinë?’. Nuk po luftoja kundër qeverisë ose kundër Bukoshit. Përkundrazi, po luftoja për një qeveri dhe një shtet me qeveri. Po luftoja kundër Serbisë.

Vendimi i Haradinajt në fund të majit për t’u përballur me serbët në vija frontale do të çonte në disa disfata dhe tërheqje, duke e detyruar në mes të gushtit të tërhiqej vazhdimisht. Lidershipi dhe aftësia e tij gjykuese filluan të viheshin në pikëpyetje. Në një takim me komandantët e nën-zonave më 20 gusht u sugjerua që komanda e përgjithshme e zonës t’i kalonte Zemajt, si një oficer madhor ushtrie i mirëtrajnuar e me eksperiencë. Haradinaj ra dakord menjëherë. Ndërkaq, Bukoshi i kishte prishur marrëdhëniet me Shtabin Qendror: kësisoj FARK-u nuk gëzonte më mbështetjen e tyre. më 23 gusht, Hashim Thaçi ishte nisur për në zonën e Dukagjinit me urdhrin të rivendoste Haradinajn në krye, i cili do ta rimerrte kontrollin, me sa duket edhe me bashkëpunimin e plotë të Zemajt.

Shtatori filloi me përparimin dërrmues të forcave serbe. Pa lajmëruar Haradinajn –komandantin e tij të zonës– Zemaj organizoi tërheqjen nga zona e Dukagjinit, duke udhëtuar përmes maleve drejt Shqipërisë me një numër të konsiderueshëm ushtarësh të FARK-ut dhe një grup civilësh. Eksodi, të cilin Zemaj e shpjegoi më vonë si evakuim civil i motivuar nga shqetësime humanitare, përshkoi arterien kryesore që lidhte qytetet e mëdha të Kosovës perëndimore. Kjo ndodhi në një kohë kur serbët kishin pak a shumë kontroll të plotë të zonës dhe kontrollonin rrugët kryesore. Fill pas largimit të Zemajt u raportua se forcat serbe kishin zbuluar një grumbull armatimesh të rregulluar mjeshtërisht, të mbrojtura nga elementët atmosferikë me anë të një katramaje.

Haradinaj ishte angazhuar në një veprim afër vendit ku ishte pozicionuar Zemaj dhe tashmë e gjeti veten të izoluar dhe të ekspozuar, me më pak se pesëdhjetë ushtarë dhe të rrethuar nga batalione të trupave serbe. Në një mënyrë apo një tjetër ai ia doli të udhëhiqte grupin e tij drejt një pozicioni më të sigurt duke u zvarritur nëpër ujin e një shtrati lumi dhe duke arritur përfundimisht në fshatin e Jablanicës, vendlindjen e nënës së tij. Serbët e kishin shkretuar fshatin. Civilët që ishin shumë të moshuar për t’u larguar ishin vrarë kur serbët kishin hyrë në fshat. Kur Haradinaj mbërriti me ushtarët e tij të sfilitur, detyra e parë ishte të varroste dhe nderonte trupat e civilëve të moshuar të vrarë nga serbët, përfshirë gjyshen dhe stërgjyshen e tij.

Haradinaj dhe njerëzit e tij e kaluan vjeshtën dhe dimrin në Jablanicë. Fshati nuk kishte (dhe vazhdon ende sot e kësaj dite) rrugë të asfaltuara, prandaj në dimrin veçanërisht të ashpër të viteve 1998-1999 ofroi një strehë të sigurt. Për këtë periudhë Haradinaj do të kujtonte:

“Hanim speca dhe lakra që i gjenim në fusha dhe në një rast therëm një lopë që e gjetëm në fshat pa lejen e askujt. Nuk kishte asnjëri aty që të na jepte leje. Nuk mund të krijonim një vijë zjarri dhe ishim në gatishmëri me çantat e paketuara, të gatshëm për të operuar si guerrilas nëse do të sulmoheshim”.

Sërish, siç kishte ndodhur pas 24 marsit, rekrutët po dyndeshin dhe numri i tyre në Jablanicë po rritej me shpejtësi, duke arritur në disa qindra brenda dy javësh. Haradinaj ngriti një flamur të UÇK-së në një majë të lartë toke për të lajmëruar si serbët ashtu dhe popullsinë lokale –ata që nuk ishin larguar– se UÇK-ja ishte rikthyer. Haradinaj po demonstronte tani forcë karakteri për të filluar sërish pas një disfate poshtëruese. Ai ndërtoi operacionin “Komanda Operacionale e Dukagjinit” në Jablanicë. Popullsia lokale pa se Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij ishin ende një forcë për t’u marrë në konsideratë. Rrezja e veprimit dhe kapaciteti ushtarak i tyre për të goditur forcat serbe u përhap në një hapësirë të gjerë. Brenda pesë muajsh, UÇK-ja e Dukagjinit përbëhej nga tetë brigada me 4.000 luftëtarë. Një prej këtyre brigadave udhëhiqej nga Dauti, vëllai i Haradinajt, i cili i kishte pozicionuar njerëzit e tij në Gllogjan. Dauti ishte veçanërisht aktiv gjatë dimrit, duke ndërmarrë rregullisht sulme vdekjeprurëse kundër objektivave ushtarakë e policorë serbë, kudo i gjente. Pengesat e verës e kishin detyruar Haradinajn t’i kthehej një fushate luftarake guerile, por kishte akoma për qëllim të krijonte një front prej nga ku mund të sulmonte pozicionet serbe në perëndim dhe veri, por që do t’i mundësonin të tërhiqej në territorin e çliruar nëse do të nevojitej. Ai hapi itinerare të armëve të reja nëpërmjet Malit të Zi dhe hyri në kontakte me burimet të NATO-s. Ndërsa shpresonte për një ndërhyrje që do të sillte një fund të shpejtë të konfliktit, pritshmëria e tij ishte se ndodheshin në një luftë të gjatë.

Ndërkaq, komuniteti ndërkombëtar ishte duke bërë përpjekje të paefektshme për t’i dhënë fund luftës, duke vendosur sanksione jo shumë të ashpra kundër Serbisë. Në tetor, Riçard Holbruk, arkitekti i Marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftërave në Kroaci dhe Bosnjë, i cili ishte përpjekur prej muajsh të ndërmjetësonte paqen, arriti të bindte Millosheviçin të pranonte reduktimin e forcave të tij dhe të lejonte kthimin e refugjatëve. Megjithatë, regjimi i Millosheviçit refuzoi të lejonte vëzhguesit ndërkombëtarë të hynin në Kosovë të verifikonin që kjo po ndodhte, bazuar tek argumenti se konflikti ishte një çështje e brendshme sigurie. Tashmë Holbruk nuk i la hije dyshimi Millosheviçit mbi pasojat që do të pasonin refuzimin për të lejuar praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë. Nën kërcënimin e sulmeve ajrore të NATO-s, Millosheviçi pranoi të tërhiqte forcat e tij dhe të lejonte dislokimin e rreth 2.000 vëzhguesve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).

Haradinaj e pa hyrjen e misionit të verifikuesve të OSBE-së si një hap të madh përpara. “Isha i sigurt se kjo ishte një fitore për ne”, do të shprehej ai më vonë, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar “do të qe tashmë në gjendje të shihte aktet e barbarizmit serb dhe se shqiptarët duhet të çliroheshin nga ky regjim”. Haradinaj ia kushtonte tanimë pjesën më të madhe të kohës garantimit që vëzhguesit të merrnin gjithë informacionin për të cilin kishin nevojë – dhe tek ai vëzhguesit gjetën një individ të artikuluar që mund të ofronte një vlerësim bindës e imponues mbi luftën dhe drejtimin që ajo kishte marrë. Kjo ishte një mundësi për ta përfaqësuar rastin e Kosovës dhe për të studiuar se deri në çfarë pike fuqitë e mëdha ndërkombëtare qenë të gatshme të vepronin. Siç do të pohonte vetë më vonë:

“Këto takime (me vëzhguesit e OSBE-së) ishin shpeshherë shumë të gjata dhe diskutimet tona shkonin përtej ngjarjeve aktuale. Biseduam mbi objektivin tonë, mbi mënyrën sesi planifikonim ta arrinim atë dhe mbi nevojë për bashkëpunim mes UÇK-së dhe organizatave të tjera. Bisedat më të gjata ishin zakonisht me vëzhguesit ushtarak të ushtrive të ndryshme, veçanërisht britanikët, amerikanët, francezët, kanadezët, e kështu me radhë. Ata i studiuan qëllimet, qasjen strategjike, idealet dhe nivelin e vendosmërisë sonë, por edhe unë studiova nivelin e tyre të vendosmërisë dhe natyrën e interesit të tyre, duke u përpjekur të kuptoja si do të vepronin në të ardhmen. Kjo do të ishte në fakt një parapërgatitje për fushatën e bombardimeve ajrore të NATO-s që do të pasonte”.

Por kjo ishte, gjithashtu, një përgatitje për politikë. Haradinaj tashmë qe angazhuar me detyrën politike të bindjes, duke qenë i ngarkuar njëkohësisht dita-ditës në thuajse çdo betejë që zhvillohej në frontet e reja të sapokrijuara. Pikërisht gjatë kësaj kohe personeli i lartë ushtarak nga vendet kryesore të NATO-s filloi të vinte re kapacitetet e tij.