Aktualitet Si u ‘fundos’ Evis Berberi nga pushimet luksoze në Turqi

Si u ‘fundos’ Evis Berberi nga pushimet luksoze në Turqi

Faturat e një udhëtimi në Turqi, së bashku me familjen, të paguara nga shoqëria DAAM, kanë shërbyer si pikënisje e hetuesve të BKH-së për të nisur hetimet për kreun e arrestuar të ARRSH-së, Evis Beberin.

Kompania të cilën Berberi e kishte shitur në vitin 2019, para se të niste punë në Ministrinë e Infrastrukturës, i kishte paguar Berberit dhe familjes së tij një paketë turistike, e cila përfshinte udhëtimin me avion nga Tirana në Antalia. Udhëtimi rezulton se është bërë më date 12.08.2020 dhe kthimi më datë 22.08.2020.

Në këtë çmim kishte të përfshirë akomodimin ne hotelin “Regnum Carya Golf & Spa Resort” ne Belek, Antalia, Turqi, në një dhomë “Luxury”, së bashku me ushqimin “Luxury all inclusive”.

Sipas SPAK, kompania DAAM shpk ka qenë gjithmonë nën kontrollin e Berberit, pavarësisht ndryshimit të herëpashershëm të pronësisë në QKB, përmes shitjeve fiktive.

Gjatë kontrollit në banesën e Berberit janë gjetur shuma të mëdha parash, ndërsa po hetohet dhe për tenderat në Ministri apo institucione të tjera, që kompanitë e Berberit kanë marrë.

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi është arrestuar me urdhër të SPAK mbrëmjen e djeshme, ndërsa akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Ai është vënë në pranga rreth orës 19:40 në zyrën e tij.

Veç Evis Berberit, SPAK ka lëshuar urdhër-arresti edhe për dy ish-ortakët e Valter Bengaj dhe Ervis Lami.