Kryesore “Sikur më kishin rrahur”, Skënder Brataj: Si e kuptova që isha me...

“Sikur më kishin rrahur”, Skënder Brataj: Si e kuptova që isha me koronavirus

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, flet për herë të parë pas lajmit që ka rezultuar i infektuar me koronavirus.

Brataj është vetëizoluar në shtëpi prej disa ditësh dhe ka simptoma jo të rënda.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Skënder Brataj tha se simptomat e koronavirusit COVID-19 i filluan mbrëmjen e së shtunës dhe të dielën pati dhimbje trupi, temperaturë të lartë dhe kollë.

Brataj ka shpjeguar se si i filluan simptomat dhe si e kuptoi që ishte prekur nga koronavirusi.

“Në fillim të shtunën, pastaj të dielën me temperaturë të lartë, me kollë, dhimbje trupi gjithandej sikur të ka rrahur njeri gjithandej, dhimbje koke. Sot jam më mirë. Dhimbjet janë graduale. Po më thonin që ishe shumë i lodhur. Unë që të shtunën e shikoja që nuk kisha shumë rezistencë. Por s’kisha dhimbje, ishte lodhja. Normal që dhe organizimi, mekanizmat e humbasin efektin e tyre. Të dielën filloi temperatura, dhimbja në çdo pjesë të trupit. Ajo është gjëja më e tmerrshme, s’rri dot në një vend. Rrotullohesh gjithandej, temperatura kalon 39 apo 39 e gjysmë është problem. Por për fatin e mirë u kontrollua. Dhe je dhe vetë mjek dhe e di si do shkojë.

Kemi këshilluar mijëra qytetarë në këto ditë. Shumë prej nesh e shikojnë veten nga ana e kuruesit, jo të kuruarit. 48 orë me shenja të theksuara. Tani kam kollë, nuk kam dhimbje, temperatura është tek 37, 37 e gjysmë. Sot pothuajse kam qenë gjithë ditën në këmbë në shtëpi duke bërë xhiro. Kjo është një betejë, e dimë shumë mirë. Kur je në linjën e parë mund të të ndodhi siç më ndodhi mua. Dy javë patjetër që do qëndroj në shtëpi”, u shpreh drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.

Skënder Brataj ka 2 këshilla për qytetarët

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i cili është infektuar edhe vetë nga koronavirusi “COVID-19”, ka dhënë dy këshilla për qytetarët.

Brataj u shpreh se qytetarët duhet të shmangin kontaktet me njëri-tjetrin dhe të qëndrojnë sa më shumë të izoluar.

Blendi Fevziu: Çfarë do t’u thoshe shikuesve? Ka një ankth të madh, ka një frikë nga infeksioni, ka një lloj stigme. Çfarë mund t’i thoshit qytetarëve në këtë moment?

Skënder Brataj: Qytetarët e dinë shumë mirë që kjo betejë e padukshme kërkon të bëhemi ne të padukshëm jo virusi, virusi e dimë që është i padukshëm. E vetmja gjë është që të mos ketë kontakt njerëzor. Ne e kemi thënë e rithënë me qindra e mijëra herë. Por nuk është e thënë që shumë njerëz mos ta kenë virusin dhe janë burim infeksioni për të tjerët. Ky distancim social i shërben dhe kësaj që ne mund të jemi pozitivë, nuk e dimë, por duke u izoluar ato 14 ditë, detyrimisht nuk do të infektojmë të tjerët.

E dyta, dhe në qoftë se na ndodh të marrim masat në kuptimin e komunikimit me mjekun e familjes, me një 127 dhe me spitalin përkatës, kujdes, duhet t’i lëmë vizitat tek njëri-tjetri. Mos të shkojnë tek prindërit, mos të shkojnë tek gjyshërit, sepse janë fasha më e rrezikshme e shoqërisë dhe më e komplikuara e tyre.