Sport Sikur të kishte VAR! Eurogoli i Demollarit në “Wembley” do të rivalizonte...

Sikur të kishte VAR! Eurogoli i Demollarit në “Wembley” do të rivalizonte Messin dhe CR7 (Video)

Ah sikur të kishte VAR edhe më parë, në vitin 1989, fjala vjen!

Eurogoli i Sulejman Demollarit ndaj Anglisë do të kishte mbetur në kujtesën e të gjithëve, do të kishte vend në antologjinë e më të bukurve. Do t’ia kishin zili ish-kapitenit tonë kuqezi ndoshta edhe Leo Messi, Cristiano Ronaldo e të tjerë. Por, Shqipëria është e vogël dhe si e tillë trajtohej asokohe edhe nga gjyqtarët, që anuluan një gol krejtësisht të rregullt, të pranuar si të tillë nga të gjitha mediat, edhe prej vetë ish-trajnerit të “Tre Luanëve” në atë kohë, Bobby Robson.

Dhe të mendosh se kjo kryevepër u shënua në “Wembley”, u mohua në sytë e krejt botës, është vërtet një mëkat i madh. Një aksion, që kalon nga këmbët e Bardh Jerës, Hysen Zmijanit dhe përfundon me goditjen e mrekullueshme të “Sulës”. Për ne shqiptarët, por jo vetëm, më tepër se sa humbja e thellë 5-0 (në portën tonë debutoi Blendi Nallbani, 17 vjeç), mbahet mend ky moment unik.

Nallbani theu rekordin, duke u bërë portieri më i ri, që luante në mitikun “Wembley” nga ekipet përfaqësuese. Sulelman Demollari e ka kujtuar kështu atë ndeshje dhe atë gol të anuluar: “Ekipet e mëdha, në një formë a në një tjetër, përkraheshin nga UEFA dhe FIFA. Ishin, janë dhe do të mbeten interesa të forta ekonomike. Imagjinoni, ne luanim në “Wembley” dhe po rezistonim fort. Nuk e mbaj mend, më duket se rezultati ishte 1-0, ose 2-0 për anglezët dhe shënoj unë.

Nisëm të festonim, por kur kthehem nga anësori, pashë se kishte ngritur flamurin. Shkoj atje dhe mundohesha të mos shpërtheja ndaj tij. Ishte shumë e padrejtë. Pyesni doktor Lluka Heqimin, se çfarë i tha trajneri Bobby Robson…“Isha pranë të madhit Bobby Robson dhe e pyes pse u anulua goli i Demollarit, pasi me thënë të drejtën, ne në stol nuk e kuptuam. Robson më përgjigjet: Nëse do më ishte anuluar ai gol mua, nuk e di se çfarë do të kisha bërë”./Telesport