Sport Solskjaer i ashpër: Pogba është lojtar i yni, jo i Raiolës

Solskjaer i ashpër: Pogba është lojtar i yni, jo i Raiolës

“Pogba është lojtari ynë, jo i Mino Raiola-s”. Ole Gunnar Solskjaer, trajneri i Manchester United, shpërthen ndaj agjentit italo-holandez, i cili ditët e fundit e la të hapur mundësinë e rikthimit të mesfushorit francez te Juventusi. “Me siguri, – shtoi Solskjaer, – unë nuk kam folur me Mino dhe as nuk jam ulur me Paul për t’i kërkuar se çfarë t’i thotë apo jo agjentit të tij”.

Pogba, bën 27 vjeç muajin tjetër, është ende duke u rikuperuar nga dëmtimi i këmbës dhe ka luajtur vetëm 8 ndeshje në këtë sezon.

“Gjëja e fundit që dëshiron një lojtar është të lëndohet dhe të mos jetë në gjendje ta ndihmojë ekipin. Paul është futbollist dhe dëshiron të luajë. E di mirë se çfarë do të thotë të jesh jashtë fushave për një kohë të gjatë, më ka ndodhur edhe mua. Është një periudhë e vështirë në karrierën e futbollistit, por pjesë e lojës. Paul tani e di se duhet të punojë shumë për t’u rikthyer në krye, është një sfidë për të”, – përfundoi Solskjaer.