Sport Solskjaer ndez supersfidën: Ne s’mund të rrimë 30 vite pa titull, si...

Solskjaer ndez supersfidën: Ne s’mund të rrimë 30 vite pa titull, si Liverpool

Ole Gunnar Solskjaer nuk pret që Manchester United të kalojë 30 vite pa e fituar titullin në Angli, duke deklaruar se “thatësira” e Liverpool në këtë drejtim duhet të jetë mësim për klubin e tij. Skuadra nga “Old Trafford” e fitoi titullin në Premier League, për herë të fundit, në sezonin 2012-2013, i fundit për trajnerin legjendar, Sir Alex Ferguson. “Djajtë e Kuq” kanë pasur një rënie drastike që nga largimi i skocezit. Solskjaer është trajneri i fundit, i ngarkuar për kthimin e klubit në lavditë e mëparshme.

Ai vazhdon të këmbëngulë se po planifikon një të ardhme afatgjatë, pasi kërkon të shmangë të njëjtin fat si Liverpool, i cili vetëm tani, në këtë sezon, mund ta fitojë titullin e parë në epokën e Premier League, pas tri dekadash zhgënjimi: “Kjo është ajo, për të cilën po punojmë shumë, për t’u siguruar që të mos ndodhë. Liverpool duhet të jetë një mësim për ne. Nuk mund ta lejojë veten të kalojnë edhe 24 vite të tjera pa e fituar titullin. Unë besoj në këtë klub, do ta evitojmë fatin që ka pasur Liverpool”.

Ndërsa puna vazhdon si në prapaskenë, ashtu edhe në fushë për Manchester United, Solskjaer nuk ka asnjë iluzion se ku duhet të jetë skuadra e tij në një afat të shkurtër. Kur u pyet për të emëruar ekipin më të mirë në Premier League, norvegjezi tha: “Përgjigjja gjendet në tabelën e renditjes. Liverpool-i ka qenë skuadra më e mirë në këtë kampionat. Manchester City ndihet i sfiduar me atë që po bën Liverpool. Kemi të bëjmë me dy mënyra shumë të ndryshme për të luajtur futboll.

Unë kam marrë dy fitore dhe dy humbje në “Anfield”, si lojtar, kështu që duhet t’i presësh me padurim kësi ndeshjesh. Është një sfidë e madhe për lojtarët tanë, që të luajnë kundër kryesuesve të kampionatit. Kemi luajtur mirë, disa herë, në ndeshjet e fundit, por larg, në “Anfield”, është çështje tjetër. Ju mund ta shijoni atmosferën në stadiumin atje, por mund të ndiheni, gjithashtu, të frikësuar. Ne kemi për t’u përgatitur ashtu si mundemi”.

Kujtojmë se Manchester United shkon në “Anfield” të dielën si skuadra e vetme, që i ka marrë pikë Liverpool-it në Premier League, këtë sezon, falë barazimit 1-1 në “Old Trafford”, në tetor. Sidoqoftë, skuadra e Solskjaer i “gjurmon” kryesuesit e Premier League me 27 pikë largësi në klasifikimin aktual, teksa ka luajtur edhe një ndeshje më shumë.