Politika Sondazhi: Rama dhe Basha në garë të ngushtë për Elbasanin, Fieri preferon...

Sondazhi: Rama dhe Basha në garë të ngushtë për Elbasanin, Fieri preferon kryeministrin

Sondazhi zgjedhor “Barometri Politik” i Euronews Albania dhe kompanisë prestigjioze MRB zbuloi se në qarkun Elbasanit ka një garë të ngushtë mes kryeministrit aktual Edi Rama dhe kryeopozitarit Lulzim Basha, ku 46.5% e qytetarëve shohin Ramën si më të përshtatshëm si kryeministër, ndërsa 40% preferojnë Bashën.

Të dy liderët në këtë qark kanë një performancë më të mirë se vetja në rang kombëtar, ku Basha ka një preferencë dukshëm më të lartë se pëlqimi që gëzon në nivel kombëtar.

Në Fier, dëshira për ta parë Ramën në karrigen e kryeministrit në godinën e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” është në masën 55%, shifër dukshëm më e lartë se vetë Rama në nivel kombëtar, por edhe se Basha për këtë qark.

Shifrat e atyre që u përgjigjën që nuk preferonin asnjë prej dy kandidatëve për kryeministër ishte 12.6% për Elbasanin dhe 14.6% për Fierin, përqindje këto më të ulëta se rangu kombëtar (19.2%).

Qytetarët u pyetën gjithashtu për mendimin e tyre për tre liderët e partive kryesore, ku u shprehën si mëposhtë:

Mendim pozitiv:

Edi Rama – Elbasan 49%; Fier 59.5%

Lulzim Basha – Elbasan 45.6%; Fier 34.8%

Monika Kryemadhi – Elbasan 15.8%; Fier 7.9%

Sipas sondazhit rezulton të jetë kryeministri në detyrë Edi Rama ai që ka pëlqyeshmëri më të madhe nga qytetarët e Fierit dhe Elbasanit, ndërkohë bie në sy diferenca e madhe e të anketuarve që kanë opinion negativ për kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhin, sidomos në Fier me (91.8%).

Metodologjia

Sondazhi mori në analizë 870 të intervistuar, 415 prej të cilëve në Elbasan dhe 455 në Fier. Intervistat ballë për ballë u realizuan në zona urbane dhe rurale në periudhën 19 mars-28 mars.