Kosova Sot 25-vjetori i Masakrës së Reçakut

Sot 25-vjetori i Masakrës së Reçakut

25 vite më parë, pikërisht më 15 janar të vitit 1999 u krye një ndër masakrat më të rënda të luftës së Kosovës në Reçak.

Mëngjesi i 15 janarit për banorët e fshatit Reçak të Komunës së Shtimes zbardhi të rrethuar nga formacionet policore serbe, njësitet ushtarake dhe paramilitare me mjete motorike të rënda të luftës.

Në orën 6 e 45 minuta të mëngjesit, shumica e banorëve të fshatit u zgjuan nga zhurma e artilerisë së rëndë serbe e cila filloi ta granatojë fshatin nga pozicione të ndryshme.

Pas një serie granatimesh, pjesëtarët serbë fillojnë bastisjet shtëpi-për-shtëpi, ku banorët e këtij fshati tentojnë të ikin, por ata tashmë ishin rrethuar. 24 burra të renditur në rresht derisa po ecnin bashkërisht nën përcjelljen e trupave serbe, të nxjerrë nga njëra prej shtëpive të fshatit ku po fshiheshin, ekzekutohen me automatikë nga afër dhe masakrohen tek lokacioni i njohur si “Gropa e Bebushit”.

Gjithsej 45 civilë shqiptarë civilë u vranë dhe masakruan të njëjtën ditë, në mesin e të cilëve edhe fëmijë, gra dhe pleq, nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe në lokacione të ndryshme.

Të nesërmen, më 16 janar, Reçakun e vizitoi shefi i atëhershëm i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ambasadori William Wallker, për të parë nga afër se çfarë kishte ndodhur.

Pasi vizitoi fshatin dhe u ngjit lartë te vendi i quajtur “Gropa e Bebushit“, aty ku sot gjendet Kompleksi Memorial i Reçakut, ambasadori Walker u tmerrua nga pamjet e kufomave dhe pa hezituar në ato momente deklaroi: “Nga ajo që pashë, ishte evidente se kemi të bëjmë me masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”. Kjo, u bë një nga momentet më me peshë që ndryshoi përfundimisht rrjedhën historike të Kosovës.

I mbijetuari i Masakrës së Reçakut, Aziz Beqiri, nga fshati Reçak, i cili në atë kohë ishte 48 vjeç, kujton se 15 janari 1999 ishte muaji i shenjtë i Ramazanit dhe saktësisht Nata e Kadrit, kur dëgjoi krismat e para dhe vetë doli në mal për të parë mundësitë që të ndihmojë në shpëtimin e ndonjë jete,

“Kur i kam parë viktimat, ka pasur të prerë, me zemër të nxjerrë, me plumba ‘dum-dum’ të cilat të shkatërrojnë ngase shpërthejnë për herë të dytë në trup. Në mesin e të vrarëve dhe masakruarve ka pasur edhe fëmijë, pleq dhe gra. Një grua ka qenë në oborr, asaj ia kanë vrarë burrin dhe dy kunetërit. Ajo pastaj ka shkuar pas burrit dhe kunetërve, mirëpo nuk ka mundur t’i takojë ata dhe është përballur me pritën e ngritur të armiqve dhe e kanë likuiduar. Ka qenë plakë, jo e re, dhe për të gjitha i kemi marrë shënimet”, theksoi Beqiri.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) dënoi masakrën ndaj shqiptarëve të Kosovës në Reçak dhe rreth dy muaj më vonë NATO filloi bombardimet ndaj Serbisë.

Menjëherë pas luftës, në vitin 2001, gjykatësit e UNMIK-ut, Misionit të OKB-së në Kosovë, dënuan oficerin e policisë Zoran Stojanoviq me minimum 15 vjet burg për pjesëmarrje në vrasjen e 45 personave në fshatin Reçak. Ai ende mbetet i dënuari i vetëm për këtë masakër.