Aktualitet SPAK çon për gjykim ish-gjyqtarin e Elbasanit, i sekuestrohet apartamenti dhe makina

SPAK çon për gjykim ish-gjyqtarin e Elbasanit, i sekuestrohet apartamenti dhe makina

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar hetimet dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Ilir Pashaj, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

“Nga analiza e fakteve dhe provave rezulton se i pandehuri Ilir Pashaj, gjatë periudhës që ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka përfituar në mënyrë të parregullt pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat janë produkt i veprës penale të korrupsionit, vepër penale e cila është vërtetuar si e konsumuar të paktën në një rast dhe konkretisht në rastin që lidhet me vendimin gjyqësor nr.343, datë 29.7.2009, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, me objekt “Lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për titujt ekzekutive, vendimet nr.255, dhe nr.256, datë 29.6.2009, dhe nr. 244, datë 26.6.2009, të Zyrës Rajonale të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave”, bëhet me dije në njoftimin e SPAK.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, për shkak të funksionit të tij si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, shtetasi Ilir Pashaj është subjekt deklarues “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve, dhe të disa nëpunësve publikë”.

“I pandehuri Ilir Pashaj, për shkak të funksionit të tij si gjyqtar, nuk ka pasqyruar në deklaratat periodike të viteve 2015, 2016, dhe atë pas largimit nga funksioni, një automjet i targuar me targë AA……JM, duke fshehur në këtë mënyrë këtë pasuri të luajtshme. Gjithashtu ky i pandehur nuk ka pasqyruar në këto deklarata as pasurinë e paluajtshme të përfituar në emër të vjehrrit të tij Sh. B.. Gjyqtari Ilir Pashaj edhe pse është i njohur me detyrimin ligjor për të deklaruar gjithë pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, me dashje direkte i ka fshehur ato duke i regjistruar në emër të personave të tjerë të afërm të tij. I pandehuri Ilir Pashaj, është kujdesur që përfitimet e parrregullta të përfituara për shkak të detyrës së tij si gjyqtar t‘i maskojë në emër të të tjerëve (vjehrrit dhe kunatit), duke fshehur pronarin dhe burimin e vërtetë të këtyre pasurive. Ky shtetas me anë të të transferimit të pasurisë që është objekt përfitimi të parregullt tek të afërmit e tij, me qëllim mbulimin e origjinës së paligjshme të këtyre pasurive”, sqaron SPAK.

Ndërkohë, GJKKO ka vendosur sekuestron preventive mbi pasurinë e paluajtshme të llojit apartament, me sipërfaqe 105.2 m2, me vendndodhje në Elbasan (në pronësi të shtetasit Sh. B. por që dyshohet se i përket të pandehurit Ilir Pashaj dhe që përbën produkt të veprës penale dhe një automjet i regjistruar në emër të kunatit të të pandehurit Ilir Pashaj, por që rezulton se është pronë e tij.

Më herët ish-gjyqtari Ilir Pashaj u dënua nga gjykata e posaçme me 1.4 vite burg, dënim që e ka kryer, pasi u akuzua për korrupsion në cilësinë e avokatit në dosjen ku u arrestua dhe ish-gjyqtarja e Elbasanit Zamira Vyshka.