Kryesore “Spiuni rus më bllokoi negociatat”/ Akuza e Berishës për ish-Komisionerin e Zgjerimit

“Spiuni rus më bllokoi negociatat”/ Akuza e Berishës për ish-Komisionerin e Zgjerimit

A do ta jepte Sali Berisha dorëheqjen nëse do të ishte në vendin e kryeministrin Edi Rama, në kushtet kur Shqipëria nuk mori dritën jeshile për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian?

“As që mund të mendoja të qëndroja po të pësonte një dramë të tillë vendi im“, kjo ishte përgjigja që dha ish-kryeministri në studion e “Zonë e Lirë”, ndërsa shtoi se “nëse do të ishte ai në pushtet, Shqipëria sot do të ishte afër anëtarësimit të plotë me BE“.

“Po të siguroj që nuk do të pësonte kurrë një dramë të tillë. Ka një histori në të cilën janë realizuar hap pas hapi të gjitha ato që kur unë kam qenë në pushtet, nuk ka ngelur asnjë, përveç statusi i vendit kandidat që e bllokoi Edi Rama me këshilltarët e Fierit, me një spiun rus siç ishte Stefan Fyle (Komisioneri për Zgjerimin në atë kohë)”.

Berisha tha se që prej 2015-ës kushtet ndaj Shqipërisë kanë ardhur duke u shtuar. Ai u shpreh se në një situatë të tillë “nuk ka diskutim që çdo Kryeministër duhet të jepte urgjent dorëheqjen”.

“Sa qesh unë, kurrë ndonjëherë Shqipërisë nuk iu vu kusht krimi i organizuar, dihej që luftohej me seriozitetin më të madh. Dhe lufta kundër krimit të organizuar hapi dyert e NATO-s. Lufta kundër korrupsionit bëri që Shqipëria të marrë çdo hap  në procesin e integrimit, kurse Edi Rama nga viti në vit, nga 2015 e gjer në vitin 2019 ka ardhur duke shtuar, filloi me 3 kushte, u bënë 5 kushte, u bënë 7, përfundoi me 9 kushte. Nuk ka diskutim që çdo Kryeministër duhet të jepte urgjent dorëheqjen”.