Sport Suarez nxjerr Interin pa pikë nga “Camp Nou”

Suarez nxjerr Interin pa pikë nga “Camp Nou”

Barcelona ka marrë një fitore të vështirë mbrëmjen e së mërkurës në ndeshjen e radhës së Champions League përballë Interit. Blaugranat kanë fituar me rezultatin e ngushtë 2-1 falë një dygolëshi të Luis Suarez. Messi edhe pse ishte në dyshim për këtë sfidë luajti për 90 minuta megjithëse u pa se nuk ishte në formën e tij optimale.

Zikaltërit kaluan të parët në avantazh që në minutën e tretë të takimit falë dhe një gabimi të portierit vendas. Më pas frenat e lojës kaluan tek Barcelona, e cila hasi në vështirësi dhe falë vendosjes së mirë në fushë të italianëve. Pjesa e parë u mbyll 0-1.

Në pjesën e dytë trajneri Valverd hodhi në fushë Arturo Vidal i cili i dha një impuls të ri lojës. Ishte pikërisht një kros i këtij të fundit në minutën e 58 që çoi në një finalizim të shkëlqyer të Suarez për të barazuar ndeshje. Inter tentoi disa herë kundërsulmin por nuk arriti rezultat. Në minutën e 85 pas një inkursioni në zonë Messi nxjerr të zbuluar Suarez i cili nuk mund të gabonte nga kjo distancë duke e çuar rezultatin në 2-1. Barcelona dhe Dormundi tashmë kanë nga 4 pikë në grup ndërsa Interi dhe Slavia nga 1.

Në ndeshjet e tjera, Dortmund fitoi në transfertë ndaj Slavia 0-2, Napoli barazoi në Belgjikë përballë Genk, Liverpool fitoi 4-3 ndaj Salzburg, Chelsea fitoi në trasfertë ndaj Lille 1-2, Ajax shkatërroi Valencian vendase 0-3, Liepzig humbi në shtëpi ndaj Lyon 0-2, ndërsa Zenit mundi 3-1 Benfikën.