Bota Tallej me koronavirusin, por sot lideri kontrovers ndodhet rëndë në spital

Tallej me koronavirusin, por sot lideri kontrovers ndodhet rëndë në spital

Nuk ishte i vetmi lider botëror që tallej me koronavirusin, deri në muajin mars. Ndryshe nga shumë të tjerë, gjithsesi, ai nuk toleronte mendimin ndryshe, duke kërcënuar mjekët dhe gazetarët që sugjeronin masa shtrënguese.

Por Ramzan Kadyrov, presidenti dhe sunduesi pa rivalë i Çeçenisë, e kishte recetën e tij. “Mjaltë, limon dhe hudhër” ishin më se të mjaftueshëm për 43-vjeçarin që prej të paktën 10 vjetësh bën ligjin në Grozny.

Por ditët e fundit, fillimisht sipas disa portaleve opozitare por më vonë të mbështetura edhe nga agjencitë shtetërore si Tass dhe Interfax, lideri çeçen është infektuar nga COVID-19, dhe është transportuar në Moskë me aeroplanin e tij persona,l ku po kurohet në Spitalin klinik Qendror, që zakonisht preferohet nga nomenklatura ruse. Pak dihet për gjendjen e tij, por disa burime flasin për dëme të mëdha në mushkëri.

Kadyrov është një nga personalitetet më kontroverse të politikës në Kaukaz. Bashkë me të atin Akhmad, ai ka luftuar me vite rusët gjatë luftës së parë në Çeçeni. Por me ardhjen në pushtet të Putin, gjithçka ndryshoi për familjen e tij, dhe mbështetja e tyre ndaj forcave ruse kundër rebelëve që kishin mbetur gjatë luftës së dytë çeçene, në 1999, i hapi dyert e pushtetit.

Mbështetja e Putin ka transformuar republikën autonome, me financime të mëdha që kanë shëruar disi plagët e luftës, por qeverisja e Kadyrov mbetet autoritare, dhe janë të shumta akuzat për tortura ndaj opozitarëve.