Kryesore Thaçi i përgjigjet letrës së Trump: Gati për kompromiset e nevojshme

Thaçi i përgjigjet letrës së Trump: Gati për kompromiset e nevojshme

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në fillim të këtij muaji i ka kthyer përgjigje letrës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Në letrën e tij dërguar Presidentit Trump, Presidenti Thaçi është zotuar se do ta kryejë pjesën e tij të punës dhe do të apelojë tek qytetarët që të ndjekin thirrjen e bërë nga Presidenti Trump në letrën e dhjetorit që “të flasin me një zë gjatë bisedimeve për paqe dhe të përmbahen nga veprimet që do të bënin një marrëveshje më vështirë të arritshme”.

Presidenti Thaçi e ka siguruar Presidentin Trump se është i gatshëm dhe i vullnetshëm që të bëjë kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar, e cila do t’i përfshinte të gjitha çështjet e hapura dhe do i jepte fund konfliktit shekullor me Serbinë.

“Siç kemi diskutuar në Paris – dhe siç u kam shpjeguar më në detaje Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe Këshilltarit për Siguri Kombëtare, John Bolton, gjatë vizitave të mia të paradokohshme në Uashington – pajtohem me ju se një marrëveshje që do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë është afër tani. Prandaj, më lejoni t’ju ofroj garancitë e mia personale se si President i Kosovës do të jem i gatshëm dhe i vullnetshëm që të bëj kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar, që do të përfshijë të gjitha çështjet e hapura, duke i dhënë kështu fund konfliktit shekullor me Serbinë”, deklaron Thaçi.

Presidenti shton më tej se “marrëveshja e arritur nuk do të jetë paqe e përkohshme apo konflikt i ngrirë. Ne po mundohemi të dalim nga ky qark dhe të arrijmë një marrëveshje permanente në të cilën të dyja palët e njohin njëra-tjetrën dhe heqin dorë nga konflikti dhe sipas të cilës Kosova bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara”.