Bota Themeluesja e Theranos, Elizabeth Holmes dënohet për mashtrim

Themeluesja e Theranos, Elizabeth Holmes dënohet për mashtrim

Një gjykatës federal ka dënuar themeluesen e Theranos, Elizabeth Holmes me 11 vjet e 3 muaj burg për mashtrimin e investitorëve në përpjekje për t’i bindur ata se kompania e saj kishte zhvilluar një pajisje mjekësore revolucionare, që mund të shëronte një sërë sëmundjesh dhe gjendjen shëndetësore, vetëm përmes një analize gjaku.

Dikur i gjithë ky investim vlerësohej 9 miliardë Dollarë. Në San Jose, Kaliforni, gjykatësi i qarkut amerikan Edëard Davila dënoi Holmes, 38 vjeç, me tre akuza për mashtrim dhe një akuzë për komplot.

Prokuroria kishte rekomanduar dënimin me 15 vite burg por, dënimi ishte shumë më i ashpër sesa ulja që kishte kërkuar ekipi i saj ligjor pasi Holmes është aktualisht shtatëzënë.

Ajo do të paguajë gjithashtu edhe rreth 800 milionë Dollarë si dëmshpërblim për investitorët, duke përfshirë disa figura të profilit të lartë si ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes James Mattis, i cili dëshmoi kundër saj në gjyq, dhe manjati i softuerit Larry Ellison.

Gjatë seancës së dënimit, Holmes qau ndërsa tha se ishte “shkatërruar” nga dështimet e saj dhe do të kishte bërë shumë gjëra ndryshe nëse do të kishte mundësi.

“Kam ndjerë turp për atë që kanë kaluar njerëzit sepse kam dështuar“, tha Holmes.

Përpara se të jepte dënimin, gjyqtari Davila e quajti rastin shqetësues në shumë nivele, duke vënë në dyshim se çfarë e motivoi Holmes të mashtronte investitorët.

“Ky është një rast mashtrimi ku një sipërmarrje kërkonte të shkonte përpara por u shkatërrua nga të pavërtetat, keqinterpretimet, mendjemadhësia dhe gënjeshtra”, tha gjyqtari.

Ngritja e shpejtë e sipërmarrëses Holmes çoi në shfaqjen e saj në artikuj të shumtë të revistave të njohura të biznesit, ku ajo konsiderohej si një pionere në fushën e teknologjisë, dhe krahasohej me ish-drejtuesin e kompanisë Apple, Steve Jobs.

Ajo lançoi Theranos pasi u largua nga Universiteti Stanford në moshën 19-vjeçare dhe vlera e tij u rrit ndjeshëm pasi kompania pretendoi se mund të sillte një revolucion në diagnostikimin e sëmundjeve.