Bota Tjetër rekord i zymtë SHBA, Trump anulon konventën e republikanëve

Tjetër rekord i zymtë SHBA, Trump anulon konventën e republikanëve

Presidenti amerikan Donald Trump ka anuluar konventën e Partisë Republikane, që ishte menduar të organizohej në Florida, për shkak të rritjes së shifrave të të infektuarve atje, ndërsa në rang kombëtar, të infektuarit tashmë i kanë kaluar 4 milionë.

“Nuk është koha e duhur për të mbajtur konventën”, tha Trump, duke shtuar se gjithsesi ka menduar për një formë tjetër të organizimit të saj. Disa delegatë republikanë do të mblidhen në Karolinën e Veriut, që është edhe origjina e mbledhjes së konventave, përpara zgjedhjeve presidenciale. Gjatë konventës që mbahet më 24 gusht, presidenti do të nominohet, thjesht formalisht, si i përzgjedhuri i partisë së tij për ta përfaqësuar në zgjedhjet e nëntorit, për një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Trump tha përpara gazetarëve se siguria vjen para së gjithash, pasi sot jetojmë në një botë krejt ndryshe, e që do të vazhdojë të jetë ndryshe edhe për pak kohë, ndaj vendosi të mos vërë në rrezik as veten, as stafin dhe as republikanët.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritën një rekord tepër të zymtë. Më shumë se 4 milionë qytetarë të këtij shteti janë infektuar me Covid-19, me bilancin e 24 orëve të fundit që ishte mbi 68 mijë raste të reja.

Për të tretën ditë radhazi, SHBA raporton më tepër se 1 mijë viktima ditore, ndërsa që prej shpërthimit, pandemia u ka marrë jetën të paktën 144 mijë personave.

Gjendja më e rëndë paraqitet në Kaliforni, që tejkaloi dhe Nju Jorkun për nga numri i të infektuarve.