Të shumtë ishin ata që mendonin se karriera si aktor e producent e Tom Cruise e ka kaluar kulmin prej vitesh. Por, aktori provoi të kundërtën dhe me ‘Top Gun Maverick’ realizoi atë që askush s’e priste; të afronte njerëzit nëpër kinema në një film ku nuk përfshihen heronj.
“Top Gun: Maverick” grumbulloi 134 milionë dollarë në një rekord prej 4,732 kinemash të Amerikës së Veriut. Filmi i Paramount dhe Skydance pritet të mbledhë rreth 151 milionë dollarë brenda të hënës, duke tejkaluar pritshmëritë.
“Top Gun: Maverick” është debutimi me fitimet më të larta në karrierën 40-vjeçare të Cruise dhe i pari i tij që tejkalon 100 milionë dollarët në fundjavën e hapjes. “Ëar of the Ëorlds”, i cili u hap me 64 milionë dollarë në 2005, më parë ishte fundjava me arkëtimet më të mëdha për Tom Cruise.
Pjesa dërrmuese e publikut ishte mbi 40 vjeç, ndërsa pati edhe shumë nga ata nën këtë moshë, të cilët as që kishin lindur kur ‘Top Gun’ doli për herë të parë, 36 vite më herët.
“Top Gun: Maverick” vazhdon serinë e arkëtimeve të mëdha për kompaninë Paramount, duke shënuar filmin e pestë të saj që këtë vit del i pari në listën e filmave me arkëtimet më të mëdha në hapje.
“Top Gun: Maverick” ka kushtuar rreth 170 milionë dollarë, i cili nuk përfshin dhjetëra milionët e shpenzuara për promovimin e filmit tek audienca në mbarë botën.