Aktualitet Trafikoi 613 kg kokainë, Apeli lë në fuqi dënimin me 14 vjet...

Trafikoi 613 kg kokainë, Apeli lë në fuqi dënimin me 14 vjet burg për Arbër Çekajn

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 14 vjet burg për Arbër Çekajn, për trafikimin e sasisë rekord të kokainës së kapur ndonjëherë në vendin tonë prej 613 kg.

Apeli la gjithashtu në fuqi dënimin me 8 vite e 8 muaj burg, për shoferin e kamionit që transportoi kontenierët nga Porti i Durrësit drejt kompanisë “Arbi Garden”, Armando Pezakun, ndërsa menaxheri i kompanisë Donaldo Lushaj u dënua me 10 vite e 8 muaj burg.

Ndërkohë, Prokuroria kishte kërkuar 21 vite burg, kërkesë të cilën e konfirmoi edhe gjykata, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, Çekaj përfitoi ulje të dënimit me një të tretën.

Avokati i Çekajt, Maks Haxhia, pas vendimit tha për gazetarët se gjykata e kishte dënuar klientin e tij pa asnjë provë dhe nuk i kishte dhënë as ë drejtën që të mbrohej.

“Gjyqtari doli me një letër bakalli dhe është për të ardhur keq që kjo gjykatë është kthyer në një gjykatë noterësh të prokurorisë edhe pse është thënë kjo disa herë. Është për të ardhur keq që perspektiva e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në procesin penal shkelet me të dy këmbët me një gjykatë që nuk ma lejon edukata, sepse këta meritojnë çfarëdolloj etiketimi që t’u japësh. Ishte një gjykatë që dënoi një njeri pa asnjë prove. Dhe jo vetëm kjo, por nuk mori në konsideratë dhe nuk i dha as të drejtën të mbrohej në konkluzionet përfundimtare. Nuk e la që të fliste konkluzionet përfundimtare. Prandaj dhe Arbër Çekaj solli sot me shkrim dore të gjithë mbrojtjen e tij dhe nuk ia pranoi”.

Prokuroria e akuzoi Çekajn si organizator të trafikut të kokainës nga Kolumbia në Shqipëri.

Lënda narkotike u zbulua në Shkurt të 2018-s në Maminas, pasi ishte fshehur në kontejner me banane që ishin porositur nga Çekaj.