Aktualitet Tragjedia në Himarë, marshim homazh në Shëngjin për Jonadën (FOTO)

Tragjedia në Himarë, marshim homazh në Shëngjin për Jonadën (FOTO)

Tragjedia që ndodhi një ditë më parë në Potam të Himarës ka shkaktuar një indinjim të qytetarëve për humbjen e jetës së Jonadës 7-vjeçare, dhe për sigurinë e pakët që kanë qytetarët madje dhe në zonat ku shkojnë për të pushuar.

Një marshim homazh për vogëlushen që humbi jetën në Potam u mbajt në zonën turistike të Shëngjinit.

Dioqeza e Rrëshenit, në bashkëpunim me organizata të shoqërisë civile në Kurbin e Lezhë bënë homazhe duke ndezur qirinj e hedhur lule në bregdetin e Shëngjinit në përkujtim të 7 vjeçares.

Ky marshim nga kisha e Shëngjinit deri në afërsi të portit, ishte edhe një protestë e heshtur ndaj ngjarjeve të tilla që nuk kanë qenë të pakta në bregdetin tonë.

Dom Gjergj Meta ishte i pari që bëri thirrjen për këtë homazh, ndërsa tha se vogëlushja humbi jetën si pasojë e papërgjegjshmërisë së institucioneve.

Ishte Lejla, një vajzë 6 vjeçe, në moshën e Jonadës së vogël që ka hedhur e para lulet në det dhe më pas të gjithë qytetarët pas saj, duke ndezur edhe qirinjtë.

Dom Gjergj Meta tha se në lutjen e tyre në qetësi për familjen që humbi fëmijën e saj janë mijëra shqiptarë që u hidhëruan, trishtuan dhe u solidarizuan për këtë ngjarje dhe gjithçka është një homazh për ta.