Kryesore Trump mobilizon ushtrinë për t’i dhënë fund dhunës: Derdhja e gjakut të...

Trump mobilizon ushtrinë për t’i dhënë fund dhunës: Derdhja e gjakut të pafajshëm, krim kundër Zotit

Presidenti Donald Trump është zotuar se do të urdhërojë ushtrinë amerikane të godasë protestuesit nëse guvernatorët e shtetit nuk e ruajnë sigurinë ndërsa vendi është përfshirë nga protestat mbarëkombëtare.

Ky ishte paralajmërimi që presidenti amerikan e dha para se të shkonte në një rrugëkalim jashtë Shtëpisë së Bardhë për të qëndruar para një kishe të dëmtuar nga zjarri i vendosur gjatë protestave të ditëve të fundit.

Autoritetet kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, e cila qëndronte pranë godinës së Shtëpisë së Bardhë. Dhe kur vendi ndodhet në një situatë të tensionuar, presidenti Trump zgjedh të ndjekë një qasje konfrontuese duke u shprehur se do të mobilizojë ushtrinë.

“Sot i kam rekomanduar me forcë çdo guvernatori që të vendosë Gardën Kombëtare në rrugë me një numër të mjaftueshëm ushtarësh që ne të mbizotërojmë në rrugë. Kryetarët dhe guvernatorët duhet të krijojnë një prani të fortë të zbatimit të ligjit, derisa dhuna të shuhet.

Unë po dërgoj mijëra e mijëra ushtarë të armatosur rëndë, personel ushtarak dhe oficerë të zbatimit të ligjit për të ndaluar trazirat, plaçkitjet, vandalizmat, sulmet dhe shkatërrimin e padobishëm të pasurisë. Këto nuk janë akte paqësore proteste, këto janë akte të terrorit të brendshëm.

Shkatërrimi i jetës së pafajshme dhe derdhja e gjakut të pafajshëm është një ofendim për njerëzimin dhe një krim kundër Zotit. Amerikës i duhet krijimi jo shkatërrimi, bashkëpunimi jo përbuzja, siguria jo anarkia”, tha presidenti Trump.

SHBA-të janë duke u përballur me protesta të dhunshme pas vrasjes së afro-amerikanit George Floyd nga policia në Mineapolis, 7 ditë më parë.