Bota “Trump u paralajmërua nga CIA që në janar për koronavirusin”

“Trump u paralajmërua nga CIA që në janar për koronavirusin”

Mediat amerikane kanë nisur të raportojnë detaje të reja lidhur me situatën e krijuar nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas të cilave shërbimet e inteligjencës e paralajmëruan presidentin Donald Trump për kërcënimin me emër Covid-19 në muajt janar dhe shkurt, por ai nuk i mori parasysh.

Sipas Washington Post, agjencitë e inteligjencës raportuan natyrën dhe përhapjen globale të virusit dhe nënvlerësimin e Kinës për ashpërsinë e tij, si dhe nevojën e mundshme për masa që qeveria amerikane duhet të ndërmerrte nëse do të përballej me një situatë të tillë, por Trump vendosi të mos i marrë me seriozitetin e duhur këto raporte.

“Donald Trump ndoshta nuk e priste këtë gjë, por shumë njerëz të tjerë në qeveri i druheshin. Megjithatë nuk ia dolën të bënin asgjë”, rrëfehet një burim për Post.

CIA dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare refuzuan të jepnin një përgjigje për Washington Post kur u pyetën për këtë çështje.

Ndërsa kur mediat amerikane iu drejtuan Shtëpisë së Bardhë, zëdhënësi Judd Deere e delegoi këtë çështje tek një zyrtar tjetër i quajtur Hogan Gidley, i cili tha.

“Presidenti Trump historikisht ka ndërmarrë masa agresive për të mbrojtur shëndetin, të ardhura dhe sigurinë e popullit amerikan, dhe e bëri këtë gjë edhe kur mediat dhe demokratët u fokusuan tek “impeachment” i turpshëm. Është shumë për të ardhur keq që burime të panjohura përpiqen të rishkruajnë historinë, ky është një kërcënim i madh për këtë komb”, u shpreh Gidley.

Ndërsa një tjetër burim për CNN raporton se komitetet e kongresit për inteligjencën kishin marrë të dhëna për kërcënimin që koronavirusi paraqiste në muajt janar dhe shkurt. Por në këto të dhëna nuk parashikohej se ku ai di të godiste SHBA, apo masat që duhet të ndërmerreshin për t’iu kundërvënë. Raportimet ndiqnin përhapjen që virusi po pësonte në Kinë dhe vendet e tjera dhe paralajmëronte se zyrtarët kinezë po e zvogëlonin impaktin e tij.