Aktualitet Tubim nga Mbështetësit e Opozitës Iraniane MEK, tek OKB në New York

Tubim nga Mbështetësit e Opozitës Iraniane MEK, tek OKB në New York

Mijëra iraniano-amerikanë u grumbulluan jashtë Kombeve të Bashkuara në New York të martën më 24 shtator, për të dënuar praninë e Presidentit të regjimit iranian në Asemblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe për t’i dhënë jehonë zërit të miliona njerëzve në Iran të cilët kërkojnë ndryshim regjimi.

Mbështetësit e grupit kryesor të opozitës iraniane, Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI, Mujahedin-e Khalq ose MEK), i bënë thirrje OKB-së dhe Shteteve Anëtare të saj që ta njohin të drejtën e lëvizjes demokratike të Rezistencës së popullit iranian për të përmbysur diktaturën teokratike dhe për të fituar lirinë.

Protestuesit thërrisnin “Poshtë Rouhani” dhe “Poshtë Khamenei,” duke iu referuar Presidentit të regjimit Hassan Rouhani dhe Liderit Suprem Ali Khamenei.

Në tubimin ‘Liri për Iranin’ folën personalitete të spikatura amerikane si ish-Kryebashkiaku i New York-ut Rudy Giuliani dhe ish-senatorët amerikanë Joe Lieberman dhe Bob Torricelli. Tubimi u organizua nga Organizata e Komuniteteve Iraniano-Amerikane (OIAC).

Udhëheqësja e opozitës iraniane Maryam Rajavi tha në një mesazh drejtuar tubimit: “Grumbullimi juaj në New York është një ‘Jo!’ kumbuese ndaj politikës së paqësimit, ndaj politikës së blerjes së mundësive për një regjim në prag të vdekjes, dhe ndaj politikës së mos-veprimit ndaj një regjimi që e ruan pushtetin e tij me anë të luftënxitjes, terrorizmit dhe shtypjes.”

“Grumbullimi juaj i thotë ‘Jo’ vazhdimit të sundimit nga një bandë pushtuesish e kriminelësh në Iran. Dhe i thotë ‘Po’ përmbysjes së këtij regjimi nga populli i Iranit dhe Rezistenca Iraniane,” shtoi Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI).