Extra Turistët, fat dhe fatkeqësi për Fshatin e Babagjyshit

Turistët, fat dhe fatkeqësi për Fshatin e Babagjyshit

Nën dritën e mëndafshtë blu, që mbështjell bredhat, një turmë hijesh zvarritet mbi dëborë mes kafeneve e dyqaneve.

Nga Europa dhe Azia, në çift ose me familjen, janë me qindra mijëra ata që, çdo dimër, pushtojnë tundrën e Laplandit finlandez, me shpresën për të takuar Babagjyshin “e vërtetë” të Krishtlindjes, për të parë aurorën boreale dhe për të sfiduar acarin mbi një slitë.

Që prej viteve ’80, autoritetet vendase të turizmit e kanë bërë Rovaniemin atdheun zyrtar të plakut mjekërbardhë.

“Fshati i Babagjyshit të Krishtlindjes” është një park përrallor argëtimi, ku turistët bëjnë shëtitje mbi motorë dëbore ose mbi slita të tërhequra nga drerë veriorë, i shmangen erës nëpër kështjella akulli, zbrazin dyqanet e suvenireve dhe ngrohen pranë zjarrit duke pirë verë me kanellë.

Turizmi është jetësor për këtë mjedis arktik të populluar nga specie të jashtëzakonshme, por vendasit dhe veçanërisht samët, rritësit e drerëve veriorë autoktonë, ndihen të shqetësuar nga efektet e tij mbi mënyrën e tyre të jetesës dhe mbi mjedisin, në një rajon që po përballet me ngrohjen globale.