Kulturë “Turpërohem me shumicën e këngëve të U2”, Bono nuk është fans i...

“Turpërohem me shumicën e këngëve të U2”, Bono nuk është fans i madh i grupit të tij

Bono Vox nuk është ndonjë fans i madh i muzikës së grupit të tij. Këngëtari irlandez, 61 vjeç, pjesë e U2 për 46 vjet, ka shkruar dhe kënduar shumë nga këngët hit të grupit rock, por kur kthen kokën mbrapa thotë se ndihet i turpëruar.

Në një intervistë në podkastin “Awards Chatter” të Hollywood Reporter, Bono rrëfen se janë vetëm disa këngët për të cilat është krenar.

“Isha në makinë kur nisi një nga këngët tona. Siç themi ne në Dublin, u skuqa flakë. U turpërova”, thotë ai.

“Ajo që mund të dëgjoj më shumë është ‘Miss Sarajeva’ me Luciano Pavarottin. Është e vërtetë, shumica e të tjerave më bëjnë të skuqem”, thotë më tej duke shtuar se ndoshta është më krenar për “Vertigo”.

Shkrimi i këngëve nuk ishte e vetmja gjë që nuk i pëlqen. Ka rezerva edhe për emrin e grupit, të cilin e ka kundërshtuar që në fillim. Bono thotë se ishte menaxheri i tyre i parë, Paul McGuinness, i cili i bëri ata të mbanin emrin U2, duke u thënë se ishte “i shkëlqyer” dhe “do të dukej mirë në një bluzë – një shkronjë dhe një numër”.

Keqardhjet muzikore të Bonos nuk kufizohen vetëm te grupi, por edhe në aftësinë e tij për të kënduar. “Unë vonë jam bërë këngëtar. Ndoshta nuk ka ndodhur ende për veshët e disa njerëzve dhe unë e kuptoj këtë.”