Aktualitet U tremb nga tërmeti, 20-vjeçari humb jetën pasi rrëzohet nga shkallët në...

U tremb nga tërmeti, 20-vjeçari humb jetën pasi rrëzohet nga shkallët në Lushnje

Një ngjarje e rëndë është raportuar si pasojë e tërmetit që ra pas mesnate në Shqipëri.

Një 20-vjeçar nga fshati Çinar i Lushnjes ka humbur jetën pas lëkundjeve të tokës. Daniel Rika është trembur në gjumë dhe pasi është ngritur me shpejtësi ka tentuar të largohet me vrap.

Fatkeqësisht ai është rrëzuar në shkallët e katit të dytë të banesës. 20-vjeçari jetonte bashkë me prindërit.

Sipas të afërmve të viktimës, Daniel Rika, i riu ka qenë në gjumë, kur ka ndjerë tërmetin dhe me shpejtësi ka tentuar të dalë nga shtëpia e tij, duke u rrëzuar nëpër shkallët.

Ata tregojnë se ai ka mbërritur i vdekur në spital, teksa rrëfejnë përpara kamerave se djali është trajtuar dhe për probleme të shëndetit mendor.

“Nipi ka qenë i sëmurë. Pas tërmetit është trembur, ka dalë dhe ka rënë nga shkallët. Më thanë që e mori ambulanca dhe e solli në spital. Ka qenë i vdekur kur mbërriti këtu. Ka qenë i sëmurë. Ka qenë i shtruar në spital dhe më herët”, rrëfen një nga të afërmit e viktimës.

Lëkundje sizmike relativisht të forta janë regjistruar në disa qytete të Shqipërisë, mesnatën mes së shtunës dhe të dielës.

Sipas të dhënave të IGJEUM, lëkundja sizmike me magnitudë 4.2 Rihter u shënua në orën 00:16, teksa epiqendra e saj ishte në Shalëz të Elbasanit, rreth 3 km në perëndim të Cërrikut.

Tërmeti me magnitudë 4.5 të shkallës Rihter u ndje në orën 00.17 të së dielës. Epiqendra e lëkundjeve ishte disa kilometra larg Lushnjes. Për pasojë tërmeti u ndje edhe në shumë qytete të tjera si Tiranë, Durrës, Kavajë, Fier, Korçë, Pogradec, Vlorë etj.